Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot seancën e 18-të me radhë në përpjekje për konstituim tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

Pavarësisht thirrjeve për zhbllokim institucional, partitë politike ende nuk kanë arritur konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Për disa seanca me radhë nuk ka arritur të kalojë propozimi për formimin e komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar të propozojë Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por pa mbështetjen e mjaftueshme nga partitë e tjera.

PDK, LDK dhe AAK kanë refuzuar të japin votën e tyre për këtë propozim, duke kërkuar një emër të pranueshëm për të gjitha palët.

Seanca e sotme pritet të nisë në ora 10:30.  Në rast të dështimit të radhës, mund të rriten zërat për ndërhyrje kushtetuese apo shpërndarje të mundshme të Kuvendit dhe mbajtje të zgjedhjeve të reja.