Pasi Kuvendi i ka ndërprerë transmetimin e mbledhjes së Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, opozita ka vijuar mbledhjen dhe është futur live në ‘Facebook’. Kreu i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj paralajmëroi administratën e Kuvendit që të mos ndërpresë transmetimin direkt të mbledhjes së Komisionit, por duke mos u zbatuar kërkesa e tij demokratët kanë vijuar transmetimin në rrjetet sociale.

Gjatë këtij komunikimi, deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit nuk ka qenë të lira dhe të ndershme, pasi sipas tij shteti është shkrirë me partitë.

“Theksoj se evidentohet qartë prishja e ndarjes së qartë midis shtetit dhe partisë në pushtet. Partitë nuk duhet të shkrihen me shtetin, por ka ndodhur e kundërta e asaj që kërkon OSBE. Më 25 prill shteti ka hyrë në lojë dhe kur shteti hyn në lojë nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ai.