Teksa na ndajnë minuta nga nisja e seancës plenare, ku do të vendoset me shumë gjasa për shkarkimin e tij, Ilir Meta vazhdon i qetë axhendën e tij në presidencë.
Presidenti Meta është paraqitur në presidencë në orët e mëngjesit, , ku duket se do të presë dhe lajmin për shkarkimin e tij.
Presidenca vijon ndërkohë agjendën e saj normale, ku sot do të ketë dhe një aktivitet për sofrën dibrane, ku në oborr janë duke u vendosur dhe mjetet e nevojshme për të ftuarit.
Nga ana tjetër rreth orës 09:00 të mëngjesit ka zbritur në Rinas edhe kryeministri Rama, i cili do të jetë pjesë e seancës ku do të vendoset për shkarkimin e Metës.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe fillimisht do të ketë një lexim të raportit të Komisionit Parlamentar Hetimor për shkarkimin e presidentit dhe më pas do të kalohet në votim. Shkarkimi i Metës duhet të bëhet me shumicë të cilësuar, që nënkupton 94 vota, që për mënyrën si janë pozicionuar deputetët duket të jetë e thjeshtë për t’u arritur.
Mazhoranca dhe opozita, që vetëm e tillë nuk mund të quhet në disa raste, kanë treguar dhe më herë sinjale bashkëpunimi, ndërkohë që për votimin e Metës janë shprehur pro Myslim Murrizi apo Kujtim Gjuzi, që duket të ishin disi më opozitarë se opozitarët e tjerë.
Mes deputetëve që pritet të votojnë kundër për shkarkimin e Metës, një pjesë e të cilëve e kanë deklaruar edhe publikisht janë Adriatik Alimadhi, Lefter Maliqi, Fatjona Dhimitri apo Elda Hoti, por megjithatë duket se është e pamundur që të bllokohet shkarkimi.
Por seanca e sotme në Kuvend duket të jetë vetëm pikënisja e një serie përplasjesh të reja institucionale, pasi presidenti Ilir Meta është shprehur se nuk do të njohë asnjë vendim të parlamentit aktual, të cilin e ka konsideruar antikushtetues.
Meta ka thënë se çdo vendim i marrë prej tij është nul, ndërsa shkarkimi pritet që të jetë një objekt shqyrtimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila padyshim do të jetë nën një presion të jashtëzakonshëm, njëjtë me vendimin që pritet të japë për vlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019-tës.