Pedagogia e Shkollës së Magjistraturës, Arta Mandro, u zgjodh më 23 shtator anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shortin e tretë të hedhur nga nënkomisioni i Ligjeve që zgjedh kandidatët nga lista e trupës së pedagogëve.

Ndërsa sot, gjatë seancës plenare,  Mandro është zgjedhur anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjatë votimit në Parlament, Mandro mori 58 vota pro, 5 kundër dhe 2 abstenim, por pavarësisht se nuk mori shumicën e kërkuar, ligji përcakton që në votimin e tretë në Parlament kandidati konsiderohet i zgjedhur.“Shumica e kërkuar nuk është arritur por në pikën 16 të nenit 35 të ligjit 115/2016 për organet e sistemit të drejtësisë së ndryshuar neni 35 është përcaktuar se në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej 2/3 edhe në raundin e tretë kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Sa më lart, kandidatura e Arta Mandros, konsiderohet e zgjedhur si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, sqaroi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla./