Ambasada Amerikane në Tiranë, në kuadër të përmbylljes së vizitës së Sekretarit Blinken në Tiranë, ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për reformën në drejtësi.

Përmes një mesazhi në faqen zyrtare, Ambasada shkruan se megjithëse reforma nuk është as e shpejtë, as e përsosur, as e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të marrin me guxim mosndëshkimin dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit.

Sipas Ambasadës Amerikane, mbështetja e SHBA është e palëkundur.

“Sekretari Blinken ritheksoi angazhimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi në Shqipëri gjatë një takimi me krerët e drejtësisë sot.

Edhe pse reforma nuk është as e shpejtë, as e përsosur, as e lehtë, ky është momenti që institucionet e reja të drejtësisë të marrin me guxim mosndëshkimin dhe të nxisin besimin e publikut në sundimin e ligjit. Këto sfida janë të mëdha, por Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fort pas këtyre institucioneve dhe do të mbeten të palëkundura në mbështetjen tonë”- thuhet në mesazh.

Vlen të theksohet se, në vizitën e tij të parë në Tiranë, Blinken zhvilloi një takim të veçantë me krerët e institucioneve të drejtësisë në vend, për t’i inkurajuar dhe treguar mbështetjen në punën që bëjnë.

Top Channel