Deksametazoni, një steroid i lirë, u ka shpëtuar jetën të paktën 1 milionë pacientëve me Covid në mbarë botën. Kështu thuhet në një studim të kryer nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor në Angli. Studimi ka nisur që në mars të vitit të shkuar dhe janë marrë në shqyrtim mijëra pacientë të ndryshëm.

Pas 100 ditëve të para të testimit, u zbulua se deksametazoni e shkurtonte rrezikun e vdekjes me një të tretën te pacientët në ventilator. Në total mendohet se ilaçi i lirë u ka shpëtuar jetën të paktën 22 mijë personave vetëm në Britaninë e Madhe. Ndërkohë në mbarë botën kjo shifër mendohet se i kalon 1 milion njerëz.

“Është e qartë se deksametazoni ka një ndikim shumë të madh. Një milion njerëz është një shifër shumë e madhe,” tha udhëheqësi i këtij studimi, Peter Horby nga Universiteti i Oksfordit.

Rezultatet e këtij studimi janë publikuar nga revista shkencore ‘Nature’.