
Juria e World Press Photo, çmimi më prestigjioz në botë për fotogazetarinë, ka zgjedhur si foto të vitit një shkrepje të Samar Abu Elouf, të realizuar për New York Times, e cila tregon historinë e tragjedisë së fëmijëve të Rripit të Gazës.
Fotoja tregon Mahmoud Ajjour, 9 vjeç, të cilit i ishin amputuar të dy krahët gjatë një sulmi izraelit në Gaza në mars 2024.
“Një nga gjërat më të vështira, siç më shpjegoi nëna e Mahmoud-it, është se kur ai kuptoi se i ishin prerë duart, gjëja e parë që i tha asaj ishte: “Si do të të përqafoj?” tha Samar Elouf.
Mahmoud më vonë gjeti strehim dhe kujdes mjekësor në Doha, Katar.
“Është një fotografi e heshtur, por flet me zë të lartë. Ajo tregon historinë e një djali, por edhe të një lufte të madhe që do të shënojë brezat e ardhshëm,” tha Zoumana El Zein Khoury, drejtore ekzekutive e World Press Photo.
Juria vlerësoi realizmin e fotografisë, ndriçimin, subjektin, si dhe apelin në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Mahmud. Ky i fundit po mëson të përdorë telefonin, të shkruajë dhe të hapë dyert me këmbët e tij, duke u përshtatur me jetën e tij të re.
“Mahmoud ka një ëndërr shumë të thjeshtë: ai dëshiron të vendosë proteza dhe të jetojë një jetë si çdo fëmijë tjetër”, shkruan organizatorët e World Press Photo në një deklaratë.
Nëse ëndrra e tij realizohet, Mahmoud do të mundet të përqafojë sërish nënën e tij.
