Demokratët në komisionin hetimor për Shëndetësinë në Kuvend kanë kërkuar shtyrjen e afateve të punimeve, pasi sipas tyre duhet të dëshmojnë kryeministri Edi Rama dhe Vilma Nushi.

Ligjvënësi demokrat Edmond Spaho tha se pjesa e dëshmitarëve që kanë ngelur tani janë kërkesa të minorancës në komision. “Nëse nuk do të thirren dëshmitarët që ne kemi kërkuar atëherë çkuptim ka komisioni”, u shpreh Spaho.

Më tej ai shtoi se dy emrat kryesorë që duhen pyetur janë kryeministri Edi Rama dhe biznesmenja Vilma Nushi, ndaj PD do të kërkojë në seancën e së enjtes shtyrjen e afateve të komisionit.

“Rrethanat janë të tilla që duhet të mendojmë seriozisht për përfundimin e punës së komisionit. Përveç tre italianeve që ke mi kërkuar disa herë të vijnë, të cilët duhet të vijnë dhe nuk po vijnë. Unë mendoj që puna e këtij komisioni do ishte e pakuptimtë nëse nuk do të thërrisnim dy dëshmitarët kryesorë që kemi kërkuar, Vilma Nushin dhe kryeministrin Edi Rama. Unë e kuptoj që për një kategori dëshmitarësh që nuk janë paraqitur do të duhet të njoftojmë policinë që ti shoqërojë policia, por unë them se ne nuk mund të mbyllim këtë koncesion pa deponimet e Vilma Nushit dhe kryeministrit. Koncesionet janë dhënë nga qeveria, me firmën e kryeministrit si propozime të Ministrisë së Shëndetësisë. Kështu që pa dëgjuar kryeministrin dhe përfituesen kryesore të një prej koncesioneve, atë të check-up, ne s’mund ta mbyllim punën e komisionit. Prandaj propozoj që në seancën e ditës së enjte ne të kërkojmë shtyrjen e punimeve të këtij koncesioni”, tha Spaho.

Edhe kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi përsëriti kërkesën e Spahos, duke i lënë dy ditë afat Vilma Nushit për t’u paraqitur.

“Vilma Nushi duhet të thirret që të vijë nesër ose të mërkurën në komision. Puna e këtij komisioni nuk duhet të mbyllet pa dëshminë e Vilma Nushit dhe Edi Ramës. Unë gjykoj që Vilma Nushi duhet të vijë këtu, nuk mbyllet ky komision pa dëshminë e saj”, tha kryetarja e komisionit, Albana Vokshi.

Nënkryetari socialist i komisionit, Plarent Ndreca i është kthyer duke thënë: “Ju thoni që është kontributore e PS, ndaj duhet të vijë këtu”. (A2 Televizion)