Autoritetet saudite kanë paralajmëruar se kushdo që përhap thashetheme “të pabaza” në rrjete sociale mund të dënohet më së shumti me pesë vite burgim dhe gjobë të lartë me të holla.
Ky paralajmërim erdhi pasi një koncert i anuluar në kryeqytetin Riad solli raportime në internet se gratë e reja po ngacmoheshin seksualisht përderisa po mundoheshin që të ktheheshin në shtëpi.
Disa nga gratë i kanë treguar BBC-së për frikën e tyre rreth postimit për atë që ka ndodhur pas këtij organizimi,.
Koncerti i shumëpritur, i paralajmëruar për datën 14 janar, u anulua në çastin e fundit për shkak të erës së fuqishme. Pjesëmarrësit e dëshpëruar mundoheshin që ta gjenin rrugën për në shtëpi nga vendi i organizimit, në periferi të kryeqytetit.
Në rrjete sociale filloi shfaqja e raportimeve se disa vajza janë zhdukur si dhe disa paralajmërime për ngacmime seksuale. Dukej se, të paktën në internet, kishte panik.
Realiteti është ende i paqartë
Shumë njerëz që thonë se ishin në koncertin e anuluar kanë thënë se incidente të tilla nuk kanë ndodhur dhe se organizatorët bënë punë të mirë në rrethana të vështira.
Rasti i tyre ndoshta forcohet nga fakti se me kalimin e mbrëmjes, u postuan fotografi të burrave që supozohej se ngacmonin gratë – por disa prej tyre ishin marrë rastësisht nga llogaritë e mediave sociale ose thjesht nga ato të të famshmëve. Ky trolling minoi pohimet e një numri grash se incidente të tilla kishin ndodhur.
Kreu i Autoritetit të Argëtimit Saudit, Turki al-Sheikh, më pas postoi një numër postimesh në Tëitter që dukej se tallnin raportet e ngacmimeve si tërësisht të sajuara.
Memet u shfaqën me shpejtësi, duke përqeshur raportet e ngacmimeve ose të vajzave që ishin zhdukur nga një mori llogarish në internet që akuzonin ata që i kishin postuar ose ripostuar se kishin gënjyer për të diskredituar dhe vënë në siklet Arabinë Saudite.