Me sezonin e vjeshtës, tregu shqiptar ofron njësërë produktesh të stinës,ku një numër i konsiderueshëm i tyre shkojnë për eksport.Një nga këto produkte është edhe gështenja.
Labinot Mal njihet në gjithë vendin si një nga prodhuesit më të mëdhenj të gështenjës.
Sapo ngjitesh në këtë zonë, ajo që të bie menjëherë në sy janë plantacionet e mëdha të mbjella me to.
Një pjesë e madhe e tyre janë pemë qindra vjeçare, ndërsa tashmë që tregu është thuajse i sigurt, banorët kanë nisur të mbjellin fidanë të rinj.
Fshati malor i Elbasanit e ka përqëndruar të gjithë aktivitetin e tij pikërisht në këtë drejtim duke prodhuar mbi 300 tonë gështenja çdo vit, shumica e të cilave eksportohet drejt Italisë.
Por, problemi më i madh për banorët e zonës mbetet çmimi.
Gështenjat e Labinotit Mal po gjejnë përdorim të gjerë në Itali e cila i përdor në pastiçeri dhe kryesisht në prodhimin e çokollatave. Përveç vështirësisë që ky produkt ka për sa i përket vjeljes, ai nuk kërkon kujdes të veçantë dhe për fermerët e kësaj zone siguron të ardhura të kënaqshme.