Presidenti i vendit Ilir Meta përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale kërkon që të ndiqen me kujdes të gjitha pretendimet e opozitës, sa i takon procesit zgjedhor, për të cilin thotë se nuk ka përfunduar ende.
Sipas Metës kushdo që ka konsumuar veprime të paligjshme, për të përfituar një mandat, duhet të ndëshkohet dhe nuk e meriton që të ulet në Kuvend, ndërsa kërkon prej të gjithëve që të mos e bëjnë fakt të kryer rezultatin e zgjedhjeve.
Në këtë prizëm, presidenti duket se i drejtohet dhe ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së në vendin tonë, të cilët kanë njohur zgjedhjet, edhe pse OSBE-ODHIR nuk kanë thënë fjalën e fundit.
“Çdokush, që mbështet teorinë e faktit të kryer, duke shpërqëndruar vëmendjen nga proceset ankimore dhe hetimore penale në proces, është bashkëfajtor në cenimin e klimës së besimit ndërmjet palëve, në cenimin e standarteve të këtij procesi zgjedhor, para, gjatë dhe aktualisht”, shkruan mes të tjerave presidenti.
Postimi i plotë i Metës:
Të dashur qytetarë të Republikës,
Më 25 prill 2021, të gjithë ju drejtuam kutive të votimit, për të zgjedhur, se cilët do të jenë përfaqësuesit tanë në Kuvendin e ri të Shqipërisë.
Përpos kësaj dite, që fatmirësisht shkoi e qetë dhe pa probematika serioze, të gjithë ne u bëmë dëshmitarë dhe përditë po shtohen dëshmitë publike dhe provat se, ky proces zgjedhor, ka patur problematika. Numri i krimeve zgjedhore u rrit ndjeshëm; ku blerja e votës u kthye në fenomen masiv; ku administrata, fondet publike, dhe asetet shtetërore u keqpqërdorën nga pushtetëmbajtësit për të favorizuar veten e tyre.
Një mori kallëzimesh penale, janë tashmë të administruara në organet e Prokurorisë dhe të Policisë së Shtetit, përpara, gjatë, por dhe aktualisht, pas ditës së votimit.
Të gjitha këto denoncime për krime zgjedhore duhet të zbardhen, pa vonesë dhe të gjithë ata zyrtarë, të çdo niveli, të cilët kanë konsumuar krime zgjedhore, apo vepra të tjera penale, që kanë cenuar standardet e procesit të 25 prillit dhe kanë shtrëmberuar vullnetin e zgjedhësit, duhet të përgjigjen përpara ligjit. Të gjithë qytetarët, duhet të vijojnë dhe t’i përgjigjen organeve të drejtësisë, me të dhëna, dëshmi dhe fakte, në mënyrë që drejtësia të funksionojë shpejt, për të zbardhur të vërtetën.
Kushdo, që ka konsumuar veprime të paligjshme, për të përfituar një mandat, duhet të ndëshkohet dhe nuk e meriton mandatin për në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo kandidat, që ka përfituar mandat përmes krimeve zgjedhore, nuk ka të drejtë të ulet në Kuvend dhe të përfaqësojë popullin shqiptar.
Procesi zgjedhor, konsiderohet i mbyllur vetëm atëherë kur edhe ankesa e fundit, të jetë shqyrtuar. Më datë 4 maj 2021, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, miratoi me vendim, tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit për çdo zonë zgjedhore, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 prill 2021.
Sipas Kodit Zgjedhor, këto rezultate nuk janë përfundimtare nëse subjektet zgjedhore paraqesin ankim kundër tyre.
Tashmë ndaj rezultatit të shpallur shumë subjekte zgjedhore kanë paraqitur dhe po ndjekin procedurat ankimore në organet respektive administrative në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ dhe ato gjyqësore, ndërkohë që, çështjet penale të hapura si rezultat i denoncimeve për krimet zgjedhore të konsumuara nga administrata publike dhe funksionarët e lartë drejtues, politikë ose jo, po ndiqen në organet respektive nga subjektet denoncuese të tyre.
Si Presidenti i Republikës, u bëj thirrje të gjitha institucioneve administrative dhe gjyqësore, që të shqyrtojnë me përgjegjshmëri dhe objektivitet të gjitha ankesat e parashtruara, pasi integriteti i këtij procesi ankimor, është po aq i rëndësishëm, sa dhe vet rezultati i shqyrtimit të këtyre ankesave.
Është tepër e rëndësishme, që çdo votë të numërohet e rinumërohet me transparencë deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor. Është e rëndësishme, që çdo fakt, e dhënë, material zgjedhor, të kqyret e verifikohet, me objektivitet dhe paanënësi. Asgjë nuk ka përfunduar!
Kodi Zgjedhor, në nenin 167 të tij, e përcakton shumë qartë se KQZ shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, vetëm pasi të kenë përfunduar procedurat e ankimit, sipas këtij Kodi. Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, jemi ende në periudhë zgjedhore, dhe subjektet politikë, përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi dhe të ndjekin nga afër proceset, që ata kanë ngritur.
Ky është një moment shumë i rëndësishëm, që organet e ngarkuara nga ligji duhet të përmbushin detyrat e tyre, në mënyrë të pandikuar, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit. Ndërkohë, organet e drejtësisë penale, duhet t`i paraprijnë këtij procesi me rezultate konkrete, pasi në të kundërt, çfarë vlere do të kishte nëse ata lejojnë që në ndenjëset e Kuvendit të ulen deputetë të zgjedhur, me vota të blera apo përmes një procesi të manipuluar!
Drejtësia duhet të funksionojë tani, për t’i shërbyer rivendosjes së besimit të shqiptarëve tek proceset zgjedhore! Kjo është e rëndësishme për të gjithë ne! Kjo është e rëndësishme për të ardhmen europiane të vendit! Çdokush, që mbështet teorinë e faktit të kryer, duke shpërqëndruar vëmendjen nga proceset ankimore dhe hetimore penale në proces, është bashkëfajtor në cenimin e klimës së besimit ndërmjet palëve, në cenimin e standarteve të këtij procesi zgjedhor, para, gjatë dhe aktualisht!