Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar sot rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, që u arrit më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, shkruan Gazeta Express.

Sipas mediave kosovare për rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë votuar vetëm 24 deputetë, ndërkaq 57 deputetë abstenuan.

Në mesin e deputetëve që abstenuan ishin edhe atë të Lëvizjes Vetëvendosje,.

Rezoluta i bënte thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatonte këtë marrëveshje që përkrahet edhe nga Administrata Biden dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej Kuvendit të Kosovës.

Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. Kjo marrëveshje është përkrahur edhe nga Administrata Biden.