Regjisori i njohur Leka Bungo është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.

Lajmin për ikjen e tij e kanë dhënë familjarët përmes rrjeteve sociale.

Regjisori do të përcillet për në banesën e fundit këtë të mërkurë ( 11 qershor), në orën 16:00, dhe do të prehet në varrezat e Sharrës.

Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe ishte një nga emrat më të spikatur të artit shqiptar, me kontribute të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Ai kreu shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më vonë një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve.

Karriera e tij përfshin punën si regjisor në teatrin “Bylis” në Fier dhe më pas në Estradën e Shtetit, ku realizoi shfaqje me tematikë sociale dhe elemente të theksuara satire. Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat”, një nismë e veçantë kulturore në hyrje të Teatrit Kombëtar, që megjithatë nuk arriti të mbijetojë për shumë kohë.

Në vitin 2002, ai emigroi në SHBA, por vijoi të jetë aktiv në fushën e artit. Bungo ka shkruar drama dhe skenarë filmash, si “Pabesia”, “Pas fasadës”, si dhe ka interpretuar në film, duke spikatur me rolin e Bardhylës në filmin “Një djalë edhe një vajzë” (1990).