Prokurori Bledar Valikaj ka kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasin shqiptar Edevaldo Haxhiu që dyshohet se ndihmoi dhe mbështeti të arratisurin Faruk Fatih Özer, themeluesin e kompanisë, i cili kërkohej shkëmbimin e parave kripto Thodex.

Seanca ndaj Haxhiut, ku do të vendoset masa e sigurisë është duke u zhvilluar paraditen e kësaj të shtune pranë Gjykatës së Tiranës. Ai akuzohet se ka ndihmuar që të fshihet në Shqipëri një prej mashtruesve më të mëdhenj në historinë e Turqisë, i cili ende nuk është vënë në pranga.

36-vjeçari akuzohet për përkrahje të autorit të krimit. Gjatë marrjes së pyetje, ai i pohoi hetuesve se nuk ka asnjë dijeni se ku mund të ndodhet Faruk Özer, dhe i ka ofruar ndihmë vetëm se ia ka kërkuar një miku i tij turk, duke qenë se flet dhe turqisht.

Për shkak se ditën që Özer vinte në Shqipëri, Edevaldo Haxhiu ndodhej në një festë familjare, i kishte kërkuar të njohurit të tij, Altjan Canajt që ta shoqëronte nga Rinasi deri në një hotel në Tiranë. Teksa agjentët e policisë i kanë kërkuar që të tregonte se kush ishte ky miku i tij, Edevaldo Haxhiu ka thënë se “nuk i kujtohej emri”. Pak muaj më parë, policia shoqëroi për të marrë në pyetje edhe Canajt, ndërsa tashmë po hetohet në gjendje të lirë.

Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia duke ardhur në Shqipëri në 18 prill duke mbyllur gjithashtu shërbimet e kompanisë së tij “Thodex”, në të cilën kishin investuar më shumë se 350 mijë persona, pjesa më e madhe e tyre, turq.

Dëmi i shkaktuar ndaj tyre është 2 miliard dollarë, ndërsa një pjesë të parave ai i mban me vete në një server të posaçëm, ku mendohet se ndodhen 108 milionë dollarë në kriptomonedha