Ka shkuar në dy numri i viktimave të aksidentit që ndodhi mesditën e djeshme në Fier-Vlorë, ku një mjet ku udhëtonin 5 persona, kryesisht të rinj, u përplas nga një tjetër makinë që po udhëtonte me shpejtësi shumë të lartë.

Në spital ka humbur jetën Flori Duraj, ndërkohë që në vendin e ngjarjes gjeti vdekjen e menjëhershme 18-vjeçari Ermir Tare. Tre të rinjtë e tjerë ndodhen ende në gjendje të rëndë shëndetësore, nën kujdesin e mjekëve.

Policia njofton se ka arrestuar drejtuesin e mjetit që ka shkaktuar aksidentin, i cili ka qenë duke udhëtuar në gjendje të dehur.

Faxweb.al publikoi dje dhe një video me pamje të rënda nga aksidenti i ndodhur dje, ku viktima dhe personat e plagosur, dergjeshin në rrugë në pritje të mbërritjes së ambulancës.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, thanë se mjeti me të cilin po udhëtonte personi që u arrestua ishte me një shpejtësi rreth 180 kilometra në orë, dhe kjo ka bërë që mjeti ku udhëtonin të rinjtë të ndahej më dysh.

Njoftimi i policisë:

Shtetasin A. K., 40 vjeç, banues në Fier, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Benz”, ka përplasur një tjetër mjet tip “Benz” me drejtues shtetasin Q. D., 21 vjeç, banues në Fier, i cili udhëtonte me katër pasagjerë. Si pasojë kanë ndërruar jetë në spitalin e Vlorës 2 nga pasagjerët, shtetasit E. T., 18 vjeç dhe F. D., 20 vjeç, ndërsa dy pasagjerët e tjerë, shtetasit K. D., 20 vjeç, R. L., 22 vjeç dhe drejtuesi i mjetit, shtetasi Q. D., ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Faxweb.al