Drejtoria  Vendore e Policisë Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me ndihmën e RENEA-s kanë kryer një operacion gjatë natës së kaluar, ku kanë arrestuar Ardjan Çapjan, dhe kanë shpallur në kërkim të vëllanë e tij, Florencin.

Vëllezërit Çapja janë arrestuar si të dyshuar për vrasjen e ndodhur në 2012-tën, ku së bashku me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çapja alias Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Dyshohet se vrasja e bab e bir, është kryer për shkak të hasmërisë mes dy fiseve, që kanë dominuar prej vitesh qytetin e Elbasanit.

Gentian Beqiri ka qenë dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005, dhe teksa ndodhej nën masën e arrestit të shtëpisë, ai u vra së bashku me të atin e tij.

Për këtë krim të dyfishtë janë arrestuar në herët dhe shtetasit Jorgo Leku, i cili përdorte dhe disa identitete të tjera, Etien Cani dhe Ervis Bardhi.

Ndërkohë që ndaj vetë Ardian Çapjat, i cili u vu sot në prangat e policisë, vitin e kaluar u organizua një atentat për eleminimin e tij me snajper. Nga ngjarja Ardian Çapja mbeti i plagosur, ndërkohë që ngjarja nuk u arrit që të zbardhej asnjëherë nga ana e Policisë, duke e lënë përplasjen mes bandave në kushtet e vetëgjyqësisë. (Lexo edhe ketu lajmin) 

Njoftimi i plotë i Policisë: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Krasta 2021”. Operacioni i zhvilluar nga RENEA, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Gjatë operacionit është vënë në pranga një person me precedent të theksuar kriminal, i dyshuar si një nga autorët e një vrasjeje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2012. Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov.

Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në bazë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë, mëngjesin e sotëm, gjatë operacionit policor të koduar “Krasta 2021”, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan për shtetasin:

Ardian Çopja alias Çapja, 53 vjeç, banues në Elbasan. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Florenc Çapja, 40 vjeç, banues në Elbasan.

Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta shtetas, në vitin 2012, dyshohet se në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit Gentian Beqiri dhe Nezir Beqiri (babë e bir).

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit Ardian Çopja, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Vijon puna nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokuroritë përkatëse, për zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të ndodhura më parë, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve.

(E.K/Faxweb.al)