Edi Rama:
Dje, duke komentuar vizitën e presidentit të Republikës së Turqisë, disa miq këtu nuk u kursyen në sharje e në mallkime “në emër të Skënderbeut”! Rastësia e desh që vizita e djeshme të përkonte me ditën e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, çka e mësuan me këtë rast plot prej atyre që rendin t’i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, i cili ndizet sa herë unë takohem me “pushtuesin” nga Ankaraja.
Po çfarë lidhje ka me rrethimet e Krujës dhe me qëndresën e Gjergj Kastriotit, Republika e Turqisë, e cila fill pas formimit të saj ka firmosur me Shqipërinë, 100 vjet më parë, në vitin e largët 1923, “Marrëveshjen e Miqësisë së Përjetshme”?
Ku lidhet Turqia moderne, anëtare e NATO-s, mike e sprovuar në më shumë se një rast e Shqipërisë dhe shqiptarëve, e si ngatërrohen me shigjetat e rrethimtarëve të Krujës, vaksinat e ardhura në Shqipëri nga ky shtet mik, falë kujdesit të veçantë mikut tim, Presidentit Erdoğan, në kohën kur i tërë Ballkani mbeti si peshku pa ujë, brenda rrethimit mbytës të Armikut të Padukshëm?
Si mund të lidhen me luftën e pesë e kusur shekujve më parë, punëtorët e palodhur turq dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, të cilët vitin e fundit ndërtuan një lagje të re me 522 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti apo një spital të ri ultramodern për njerëzit e këtij vendi?
Nuk e di a e ka ndonjë popull tjetër atë shprehjen, “për inat të s’ime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë”. Por dihet me siguri, se përgjatë historisë së tij, ky popull ka parë shumë dyndje shqipesh të inatosura në derën e mullixhiut. Inati ndaj njëri-tjetrit na ka penguar rëndom, ne shqiptarëve, të shohim të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët. Kjo e rreshtimit të djeshëm të shumëkujt (që inatin në fakt e ka me qeverinë e me mua), në ushtrinë imagjinare të mbrojtësve të kështjellës sonë nga pushtuesit turq, ishte një ilustrim i radhës për rrugën pa krye ku të shpie “inati ndaj vjehrrës”.
Natyrisht këto spazma urrejtjeje sportive, të cilat burojnë nga tifozllëku i sëmurë partiak, mllefi i pangushëllueshëm “intelektual” dhe fatkeqësisht, ndonjëherë edhe nga budallallëku islamofobik, nuk e ndryshojnë as përmbajtjen e miqësisë tradicionale me popullin turk, as kursin e partneritetit strategjik me Republikën e Turqisë.
Dikush ndër të inatosurit e djeshëm denonconte hipokrizinë time. Sipas tij isha vetëdemaskuar nga mikpritja që i rezervova Presidentit Erdoğan në Tiranë, pas mikpritjes që më rezervoi Papa Françesku në Romë. Në fakt jo, ky shembull tregon krejt të kundërtën e hipokrizisë; vërtetësinë dhe thellësinë e marrëdhënieve të posaçme personale për shkak të detyrës.
Këto e të tjera marrëdhënie të këtij niveli, reflektojnë bindjen time se Shqipëria nuk duhet të jetë “më katolike se Papa” në politikën e saj të jashtme, po mund të jetë “trimi i mirë me shokë shumë”. Po shokë ama, natyrisht.