Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për policin 25-vjeçar, Ludjan Zaimi, i cili tre ditë më parë qëlloi për vdekje me armën e tij të shërbimit kolegun, Caush Saliasi.

Ngjarja tragjike ndodhi në 23 maj në ambientet e Komisariatit nr. 3 në Tiranë, sapo efektivët kanë zbritur shkallët për të marrë mjetin e shërbimit.

Në dëshminë e tij para hetuesve, Ziami është shprehur se Çaushi e ka ofenduar, ndërsa shtoi se me Saliasin është konfliktuar edhe më herët kur kanë qenë në krye të detyrë dhe ka theksuar se ai konsumonte alkool.

Sipas dëshmitarëve, gjithçka ka ndodhur në pak minuta, ku kolegët kanë nxituar të transportonin në spital kolegun e plagosur rëndë.

HETIMI

Sipas të dhënave hetimore, Ludjan Zaimi, efektivi 25- vjeçar që nuk duroi dot talljet e kolegut të tij Çaush Saliasi dhe shkrepi armën 6 herë mbi trupin e tij duke i shkaktuar vdekjen, rrezikon burgim të përjetshëm. Sipas informacioneve që dalin nga Prokuroria saktësohet se ndaj tij rëndon akuzat e vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, neni 79/b dhe armëmbajtjes pa leje, pasi Policia bëri me dije se i janë gjetur 56 fishekë. Po ashtu, Policia ka thënë se në shtëpi 25-vjeçarit i janë gjetur antidepresantë “seroquel”, medikament që përdoret për të kuruar çrregullime dhe probleme të tjera të rënda mendore. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 majit brenda Komisariatit nr.3. në Tiranë, teksa po ndërroheshin turnet dhe në sallë ishin kolegët e tjerë. Zaimi duket se e kishte të qartë shënjestrën e tij ndaj i bëri thirrje efektivëve të pranishëm që të mos ndërhynin dhe në fakt ashtu ndodhi, askush nuk ndërhyre.

Një grup i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet paralelisht me Prokurorinë e Tiranës për të mësuar shkaqet e konfliktit që çoi në përgjakjen e Komisariatit dhe të vrasjes së një efektivi policie në ambientet e punës së tij. Edhe pse ende Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë detaj mbi të vërtetën e konfliktit dhe as të gjendjes mendore të autorit të vrasjes, grupi hetimor po verifikon hollësitë e pozicionimit të dy efektivëve në të njëjtin turn kur problemet e tyre ishin të njohura jo pak brenda komisariatit, por që askush nuk ua ka vënë veshin.

Sipas burimeve zyrtare, mësohet se Zaimi ka rreth një vit e gjysmë në Policinë e Shtetit, është arrestuar dhe akuzohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, e ndërsa viktima Çaush Saliasi kishte mbi 20 vite karrierë me uniformat blu. Gjatë së hënës mbrëma, në Komisariatin nr.3 mbërriti edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, si edhe një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale