Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin për Teatrin Kombëtar, ku shfuqizoi ligjin special për të dhe pezulloi ndërtimin e teatrit të ri, por la në fuqi shembjen e godinës.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për ta kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Lidhur me këtë të fundit, Kushtetuesja sqaron mes të tjerash se “Baza ligjore e kësaj VKM-je nuk autorizon kalimin e pronësisë nga Këshilli i Ministrave te njësitë e qeverisjes vendore, por vetëm kalimin në përgjegjësi administrimi. Kjo pasuri duhej të transferohej me ligj dhe jo me VKM.

Bashkia e Tiranës nuk mund të gëzojë të drejta pronësie dhe të vendosë për objekte të kësaj natyre që i kapërcejnë kufijtë e kompetencës vendore”.

Më tej, Gjykata Kushtetuese vijon duke sqaruar se përse Bashkia e Tiranës nuk mund të disponojë pronësinë mbi këtë godinë:

23.1. Bashkia e Tiranës nuk gëzon tagrin ligjor të shprehet për fatin e ekzistencës ose jo të objekteve që lidhen me çështje të interesit kombëtar, siç është Teatri Kombëtar.

23.2. Janë cenuar nenet 112 dhe 118 të Kushtetutës, pasi VKM-ja nr. 377/2018 është një akt i cili nuk ka pasur një autorizim ligjor. Ligjet nr. 8743/2001 dhe nr. 8744/2001, ku është bazuar Këshilli i Ministrave, nuk e autorizojnë atë për të nxjerrë akte nënligjore për pasuri të kësaj natyre. Kalimi i pronësisë së Teatrit Kombëtar duhej të bëhej me ligj dhe jo me VKM.

23.3. Janë cenuar nenet 13 dhe 108 të Kushtetutës që kanë të bëjnë me autonominë vendore dhe decentralizimin, pasi përmes kësaj VKM-je Këshilli i Ministrave ka urdhëruar Bashkinë e Tiranës se si të sillet me pronën të cilën i ka kaluar në pronësi. Gjithashtu, është cenuar edhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

23.4. Është cenuar neni 5 i Kushtetutës që ka të bëjë me zbatimin e detyrueshëm të së drejtës ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë.

23.5. Është e papranueshme që dorëzimi i godinave të Teatrit Kombëtar, nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës, në bazë të VKM-së nr. 377/2020 është bërë vetëm me anë të një fletëdaljeje.

fax