Ashtu siç u lëshua paralajmërimi pas fundosjes së luftanijes “Moskva” që Putin do të hakmerrej, tashmë kanë nisur sërish sulmet nga ajri.

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar mëngjesin e së shtunës në periferi të Kievit. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko. Me anë të një postimi në Telegram, ai tha se shpërthimet kanë ndodhur në lagjen Darnytskyi. Ai shtoi se numri i viktimave ende nuk dihet, ndërsa ekipet e shpëtimit ndodheshin në vendngjarje.

Por jo vetëm në Kiev, Rusia ka shkuar deri në perëndim të Ukrainës me anë të sulmeve të saj mëngjesin e së shtunës. Guvernatori i Lviv, Maksym Kozytskyi, tha se ka pasur sulme nga ajri midis orës 05:46 dhe 07:02. Ai shtoi se sistemi i mbrojtjes raketore ka funksionuar, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.