Ndonëse bëhej fjalë për një ritual gazmor, ku çdo futbollist i ri duhej të këndonte një këngë para ekipit, në rastin e Elseid Hysajt te Lazio ka marrë përmasa shumë të mëdha dhe ka shkaktuar një acarim të pakuptimtë mes tifozëve bardhekaltër.
Mbrojtësi shkodran u transferua te kryeqytetasit pak ditë më parë si futbollist i lirë dhe nga ambientet e grumbullimit zgjodhi himnin e njohur partizan “Bella Ciao” për të kënduar para shokëve të tij të rinj, por pikërisht kjo i kushtoi shtrenjtë.
Tifozët e Lazios, të njohur për prirjet e tyre fashiste apo ekstreme të djathta, reaguan menjëherë dhe ushtruan presion në ambientet e grumbullimit, teksa pas negociatave edhe të drejtorit sportiv Igli Tare, kënga u fshi nga rrjetet sociale dhe u duk sikur u arrit një farë paqeje.
Megjithatë nuk ishte aspak kështu, pasi përveç mesazheve të pafundme në rrjetet sociale, ku vunë në shënjestër mbrojtësin kuqezi, tifozët e Lazios nuk ngurruan të shprehin acarimin e tyre as në rrugët e kryeqytetit, ku shpalosën një pankartë të turpshme, ku shkruhej “Hysaj Krimb, Lazio është fashiste”!Reklamë
Pikërisht për këtë arsye, edhe klubi i Lazios është detyruar të dalë me një komunikatë zyrtare, ku ka theksuar angazhimin për të marrë në mbrojtje Hysajn dhe njëkohësisht ka bërë thirrje që të mos prishet klima e qetësisë në qendrën stërvitore.
“Është detyrë e klubit që të mbrojë një prej anëtarëve të saj dhe ta çlirojë nga përdorimi personal e politik, që në rastin konkret nuk ka asnjë lidhje me kontekstin jozyrtar dhe miqësor në të cilin ndodhi episodi. Grumbullimi i skuadrës duhet të vazhdojë me angazhimin maksimal sportiv dhe në klimën e qetësisë që ka mbizotëruar deri para këtij momenti”, thuhej në deklaratën e klubit lacial.