Lefter Koka ka folur për herë të parë pas arrestimit. Në seancën e sotme përmes avokatit të tij ai ka thënë se ka respektuar ligjin, duke mohuar akuzat. “Kam respektuar ligjin”, mësohet të ketë thënë ai.

behet me dije se seanca me dyer të mbyllura ka përfunduar dhe se trupa gjykuese është tërhequr për të marrë vendimin.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u arrestua dy ditë më parë me parë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Arrestimi i tij erdhi pas një hetimi nga SPAK për çështjen e inceneratorëve. Koka akuzohet për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”.

Funksionimi i skemës që zbuloi SPAK?
Ish- ministri i Mjedisit Lefter Koka u vendos në pranga dhe u shpallën në kërkim biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja për aferën e ndërtimit të inceneratorëve. Në njoftimin zyrtar të prokurorisë së posaçme bëhet me dije se, ndaj Kokës janë ngritur katër akuza, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Biznesmeni Klodian Zoto që është pronari i kompanisë “Albtek Energy” që ka në zotërim inceneratorin e Elbasanit dhe Stela Gugallja që zotëron kompaninë “Integrated Technology Services” që ka ndërtuar inceneratorin, përmes një skeme fiktive kanë kaluar për llogari të ish-ministrit dy shuma monetare në këmbim të dhënies së licencës. Sipas prokurorisë, Zoto me kompaninë e tij ka kaluar për llogari të disa kompanive të ish-ministrit dhe familjarëve të tij shumën prej 2 milionë e 950 mijë euro, me pretendimin se janë paguar punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto kompani.

Në të njëjtën formë edhe kompania në zotërim të Gugallës ka kaluar një shumë prej 735 mijë euro. Në total këta biznesmenë kanë paguar 3 milionë e 685 mijë euro shoqërive që dyshohet se janë në pronësi të ish ministrit Koka dhe familjarëve të tij. Prokuroria pretendon se tenderi për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit është përfituar në shkelje të ligjit.

Në procedurën e ndjekur për dhënien e koncensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, por ligji parashikon që për dhënien e koncensionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: A) procedura e hapur; B) procedura e kufizuar; ose procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Për këtë, prokuroria bën përgjegjës ish-ministrin Koka si personi që ka organizuar tenderin dhe fitues është shpallur kompania në pronësi të Zotos.

Ndërkohë SPAK ka vendosur nën sekuestro inceneratorin e Elbasanit, kompaninë që e ka ndërtuar si dhe 88 përqind të aksioneve të kantinës së njohur të pijeve alkoolike Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pronësi të Lefter Kokës. Hetimi i SPAK ka nisur pas kallëzimit të PD dhe LSI.