Pas pezullimit të përkohshëm gjatë muajve mars dhe prill, Banka e Shqipërisë do të rifillojë këtë muaj ankandet e programuara për blerjen e Euros në funksion të nevojave të rezervës valutore të vendit.
Në ankandin që do të zhvillohet këtë javë, banka qendrore parashikon të blejë në raundin e parë një shumë në intervalin midis pesë dhe tetë milionë Eurove. Megjithatë, shuma e blerjeve mund të jetë edhe më e lartë, sepse rregullorja e Bankës së Shqipërisë përcakton edhe mundësinë e blerjeve në raundin e dytë, me kursin mesatar që rezulton nga ofertat e pranuara në raundin e parë të ankandin.
Në kalendarin vjetor të ndërhyrjeve në tregun valutor, të hartuar në fund të vitit 2021, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar 15 ankande të blerjes së valutës. Bazuar në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë parashikohej që për vitin 2022 të blihet në tregun e brendshëm valutor një shumë në intervalin midis 140 dhe 200 milionë eurosh. Por, në fillim të muajit mars, kursi i këmbimit kaloi një moment destabilizimi, të lidhur kryesisht me kërkesën e lartë të OSHE për valutë dhe me një valë paniku që përfshiu tregun në vijim.
Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor duke shitur valutë dhe njëkohësisht vendosi të anulojë tre ankandet të blerjes, të programuara gjatë muajve mars dhe prill. Pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, tregu u stabilizua dhe Leku filloi të rifitonte sërish terren gjatë Euros. Madje, në fund të muajit prill, kursi mes Euros dhe lekut barazoi sërish nivelin më të ulët historik prej 120.18 lekësh, që ishte regjistruar për herë të fundit në vitin 2007. Pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit kanë bërë që Banka e Shqipërisë të rifillojë programin normal të blerjes së Euros për nevojat e administrimit të rezervës valutore.
Leku po fiton sërish pikë në kursin e këmbimit me Euron edhe këtë javë. Sipas Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 120.29 lekë, afër minimumeve historike prej 120.18 lekë të vitit 2007./monitor.