Emisioni “Pa motor” është ndalur këtë të shtunë në ambientet e Postës Shqiptare, institucion i cili është krijuar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, dhe mbart me vete një histori të gjatë. Biseda u ndal fillimisht te një galeri e hapur me pullat e postës ndër vite, të cilat janë letrat më me vlerë të shtetit, pas lekut.
Romir Dhukaçi, kryetar i degës së filatelisë dhe pullës, ka treguar për gazetaren e Fax News Ana Haxhimali, vlerën që ka mbajtur ndër vite pulla e postës, dhe transformimet teknologjike që kanë ndodhur së fundi. Ai tha se qëllimi i postës shqiptare është afrimi i të rinjve.
“Qëllimi i postës shqiptare, kërkon që jo vetëm të tregojë historinë e pullave, por edhe afrimin e brezave të rinj, për të pasur një kontakt më konkret me shërbimet postare.
Sado që ne porosisim online, paketat do të vijnë fizikisht, shumë njerëz porosisin sot online, pjesa fizike bëhet më së miri nga posta shqiptare prej 110 vitesh, edhe pse në fillim ka nisur me letra. Mund të bëhen shërbime edhe transferta parash.
Pulla është letër me vlerë, posta shqiptare ka monopolin e prodhimit dhe emetimit të pullave. Posta shqiptare ka fatin që të ketë edhe një galeri veprash arti, që edhe pse në shërbim të pullës, veprat janë paraqitur nga figura të njohura të artit.
Kjo krijimtari është e bërë dhe përmes kompjuterit, për tu përshtatur edhe me kohën në të cilën jetojmë.
Ka interes të madh për koleksionimin e pullave, ka persona që e kanë të trashëguar edhe nga familjarët e tyre, një prej tyre ishte ministri i qeverisë së Ismail Qemalit, Lef Nosi, dhe familja e tij. E kanë trashëguar edhe në ditët e sotme. Posta Shqiptare ka në qëllim afrimin e brezave të rinj, për të simuluar njohjen e historisë dhe rritjen e personave që koleksionojnë”, u shpreh Dhukaçi.
Ndërkohë që drejtori i përgjithshëm i Postës Shqiptare, Ervin Bushati tha se ka ardhur koha që ky institucion të bëjë përpara përmes teknologjisë.
“Ne duam që ta bëjmë postën që të shërbejë sa më shumë për qytetarin, thjeshtësimi i mënyrës sesi operojmë është qëllimi ynë prinar. Posta është më shumë se shpërndarja e pakove, ne sot shumicën e shërbimeve e kemi në aspektin financiar.
Duam të sjellim sa më shumë produkte teknologjike, ne shikojmë se dhe për shkak të pandemisë, gjithmonë e më shumë njerëzit janë të prirur drejt teknologjisë, që ti kenë të gjitha në një protal. Jamë mijëra punëtorë dhe qindra zyra që janë gati për ta bërë këtë.
Posta është pasuria e të gjithë shqiptarëve, duhet të jetë njësoj vlerësimi siç është dhe për Kombëtaren Shqiptare, ne duam të sjellim të gjitha vlerat e shtuara që ky institucion ka”, tha Bushati në Fax News.