Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i Nikolin Lekstakajt në zonën e Balldrenit në Lezhë, ngjarja e cila dyshohet se ka ndodhur për gjakmarrje.

Vëllai i viktimës, Bledar Lekstakaj ka deklaruar se sapo ishte kthyer nga Tirana dhe ka qenë duke qëndruar në banesë me nënën e tij në momentin që Nikolini i ka marrë makinën për të shkuar për të blerë diçka në market.

Më tej ai ka deklaruar se pak minuta më vonë pasi vëllai ishte larguar me makinë për në market, kishte dëgjuar krisma armësh, por nuk kishte menduar dhe nuk e dinte se ishte vrarë vëllai i tij dhe është njoftuar pak më vonë për ngjarjen e rëndë.

Sipas dëshmive të familjarëve të viktimës, ky i fundit nuk ruhej dhe se lëvizte i lirë dhe nuk i druhej ndonjë atentati.

Për ngjarjen e rëndë, policia e Lezhës ka shoqëruar disa persona të cilët janë marrë në pyetje. Policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, 3 muaj pas vrasjes së Ardian Nikulajt në zonën e Shëngjinit, një biznesmen i njohur dhe me ndikim në zonën  e Lezhës.

Si pasojë e hasmërisë mes fiseve që daton prej më shumë se 20 vitesh numërohen më shumë se 10 viktima, ndërkohë që roli parandalues i policisë dhe shtetit ka qenë inekzistues.