Një 18-vjeçar me inicialet J.D., i cili lëvizte me pistoletë është arrestuar nga Policia në Shkodër.

Ai u ndalua nga uniformat blu në lagjen “Perlat Rexhepi”, teksa lëvizte me makinë, dhe brenda mjetit u gjet arma e zjarrit si dhe 2 krehra me fishekë luftarak.

                      NJOFTIMI

Shkodër/Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, goditet një tjetër rast i mbajtjes pa leje të armës së zjarrit. Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjali”, i organizuar nga Komisariati i Policisë Shkodër dhe Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër. Lëvizte i armatosur me pistoletë, arrestohet në flagrancë 18-vjeçari. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, 2 krehra me fishekë, automjeti që drejtonte 18-vjeçari dhe celulari i tij. Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore që sigurohet në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për shtetasit që posedojnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Sinjali”.

Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi J. D., 18 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh. Në lagjen “Perlat Rexhepi”, shërbimet e Policisë sinjalizuan dhe ndaluan për kontrolle automjetin që drejtonte 18-vjeçari, ku gjetën 1 armë zjarri pistoletë të cilën ky shtetas e mbante pa leje dhe 2 krehra me fishekë luftarak. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.