Policia e Lezhës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.
Në prangat e policisë kanë rënë dy vëllezërit Elton Keçani, 29 vjeç dhe Ardit Keçani, 27 vjeç, banues në Lezhë të cilët janë kapur në flagrancë duke ushtruar dhunë ndaj vjehrrit të motrës së tyre.
Gjithashtu uniformat blu kanë arrestuar edhe babin e dy të rinjve, Lazër Keçani, 57 vjeç pasi gjatë kontrollit në banesë u është sekuestruar një armë zjarri automatik dhe 90 fishekë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje “.
Njoftimi i policisë së shtetit:
Policia e Lezhës parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje.
Ushtruan dhunë ndaj vjehrrit të motrës së tyre, për motive të dobëta, dhe tentuan të merrnin armën e zjarrit në banesën e babait të tyre, por reagimi i menjëhershëm dhe profesional i Policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
Shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë dy vëllezërit për dhunë ndaj 53-vjeçarit.
Në pranga dhe babai i tyre, pasi shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë marrë njoftim për një konflikt mes disa personave me lidhje familjare me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur SMT, Lezhë. Sipas informacioneve personat posedonin dhe armë zjarri në banesë.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar se shtetasit A. K. dhe E. K.(vëllezër) po ushtronin dhunë ndaj vjehrrit të motrës së tyre, shtetasit G. J.
Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, shërbimet e Policisë kanë arritur t’i neutralizojnë dhe t’i vënë në pranga 2 vellëzerit, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe ngjarjen e mundshme kriminale.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit L. K. (babai i dy vëllezërve), ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik me fishek në fole dhe 90 fishekë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u arrestuan në flagrancë shtetasit: Lazër Keçani, 57 vjeç, Elton Keçani, 29 vjeç dhe Ardit Keçani, 27 vjeç, banues në Lezhë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Dhuna në familje “.