Librazhd/Intensifikohen kontrollet me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.
Si rezultat i kontrolleve është goditur një rast i prerjes së paligjshme të pyjeve, në zonë të mbrojtur.
Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke prerë pemë, në parkun kombëtar “Shebenic”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, në bashkëpunim më inspektorët për mbrojtjen e pyjeve, kanë evidentuar dhe goditur një rast të prerjes së paligjshme të pyjeve, në fshatin Rrajcë, në vendin e quajtur “Gavadec”, zonë e mbrojtur e parkut kombëtar “Shebenic”.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan shtetasit Sh. B., 57 vjeç dhe E. V., 27 vjeç, banues në fshatin Rrajcë, pasi u kapën në flagrancë duke prerë pemë ahu, në zonën e mbrojtur të këtij parku.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit: si prerje të paligjshme të drurëve, ndërtime pa leje, marrje të kundërligjshme të inerteve, shpërdorim të tokës, ndotje të saj, të ujërave apo të ajrit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë edhe gjatë natës, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.