CEO-t e linjave më të mëdha ajrore në SHBA si American Airlines, Delta Air Lines, United Airlines dhe Southwest Airlines kanë paralajmëruar se aktivizimi i spektrit 5G ditën e mërkurë mund të shkaktojë një “ndërprerje katastrofike” të fluturimeve duke filluar nga 19 janari.
Letrës publike të firmosur nga kompanitë ajrore i janë bashkuar kompanitë e transportit si UPS Airlines dhe FedEx Express, të cilat janë të shqetësuara se aktivizimi i spektrit 5G mund të anulojë fluturimet për transportin e mallrave. Kjo letër iu dërgua Sekretarit për Transportimin Pete Buttigieg, Jessica Rosenworcel, Steve Dickson dhe Brian Deese, sipas raportimit nga Reuters.
Ky spektër i valëve 5G quhet ndryshe dhe C-band, dhe instalimet e AT&T dhe Verizon do të aktivizohen ditën e mërkurë pas shumë shtyrjesh të mëparshme.
Problemi me aktivizimin e C-band qëndron në faktin se këto valë interferojnë me pajisjet elektronike që masin lartësinë nga sipërfaqja të aeroplanëve, që quhen altimetra. Këto pajisje janë tepër të rëndësishme për uljen e aeroplanëve në pistë, sidomos kur shikueshmëria është e limituar.
United Airlines kërkon që spektri i valëve 5G të aktivizohet në zonat e tjera që ndodhen të paktën 3 kilometra larg pistave të aeroplanëve.
Deri më tani spektri C-band është aktivizuar në 40 shtete të ndryshme dhe nuk ka shkaktuar probleme me altimetrat.