Në Forumin Dëgjesë, të fundit për projektin ambicioz të Automoto Park Albania, brenda Automotive Fair Albania, i cili ka nisur punimet në qytetin e Elbasanit, ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, i cilësuar nga paneli si një nga mbështetësit kryesor të ndërtimit të Automot Parkut. Në këtë panel kanë referuar edhe Blendi Gonxhe, drejtor i DPSHTRR, një nga iniciatorët e këtij projekti të madh, si edhe Niko Leka president i Federatës Shqiptare të Automobilizmit.
Për kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, ndërtimi i këtij “gjigandi” në Elbasan është një ëndërr e shumëpritur e cila së shpejti do të kthehet në realitet.
I pyetur se çfarë benefitesh do të sjellë në Elbasan Automoto Parku, si nga ana ekonomike, por edhe për turizmin në përgjithësi, Z. Llatja pohon se “ për nga vetë pozita gjeografike, Elbasani është një nga lokacionet më të përshtatshme për ngritjen e Automoto Parkut. Ndodhemi një orë larg Aeroportit “ Nënë Tereza”, dhe po rreth një orë larg portit të Durrësit. Zona ku edhe u vendos që të bëhej ky investim i madh, poshtë Krastës është një vend perfekt dhe që ka akses në infrastrukturë.
Ka qenë një punë e madhe e stafit të Bashkisë dhe DPSHTRR , kishte edhe vonesa, pasi u ndryshuan të gjitha planet urbanistike, u bënë projektet e pritave lumore, kaluam shumë hallka, dhe sot jemi gati. Tashmë kemi edhe financat, dhe po ecim me punimet”, pohon Llatja.
Sipas tij, ky projekt do të jetë një magnet i fortë në qendër të Elbasanit, si nga ana ekonomike, por edhe ajo e turizmit.
“ Projekti, është një spunto që i jepet ekonomisë së Elbasanit, pasi ne kemi fabrika që janë për prodhimin e pjesëve të makinave në Elbasan. Kemi shkolla të mesme profesionale Qendrën e Formimit Profesional, kemi mekanikë shumë të mirë, kemi kapacitetet për të nxjerrë klasën e shërbimeve që do t’i duhet infrastrukturës, komplet pistës, por kemi edhe mundësi për zhvillimin e turizmit.
Elbasani ka një kulinari shumë të pasur tradicionale, kemi kalanë fushore, por edhe Funarin dhe Gjinarin malor, të cilët tërheqin shumë turistë. Automotoparku do të jetë një magnet i fortë në qendër të Elbasanit për t’i dhënë një zhvillim të gjithë turizmit rajonal.
Edhe zhvillimi ekonomik që do të sjellë vetë pista do të jetë shumë e mirë për Elbasanin por edhe Shqipërinë e Mesme. Ne kemi kushtet që të zhvillojmë edhe servisin e mjeteve në Elbasan. Edhe qendra e re që do të bëhet ajo e DSHPTR si edhe qendra e panairive do të jetë një magnet i madh për Elbasanin”, shtoi Llatja.
Lajmi i mirë për Elbasanin si pasojë e ndërtimit të Automoto Parkut është edhe fakti se pas ndërtimit të qendrës së re të DSHPTR – së, godina aktuale do të kalojë në pronë të Bashkisë së Elbasanit ku në një të ardhme të afërt lagja ku edhe ndodhet qendra aktualisht do të rikthehet në një institucion arsimor, për komunitetin me shumicë rome, por edhe për fëmijët e lagjes “5 Maji”.
Automoto Parku, është një hap historik për automotorizimin shqiptar, për nxitjen e talenteve të timonit në kushte sigurie, për zhvillimin e programeve mbi sigurinë rrugore dhe automotosportin, si dhe për promovimin e kulturës Retro e të komunitetit automotiv! Do të jetë një medalion për të gjithë qarkun e Elbasanit, por edhe për Shqipërinë e Mesme.
Investimi përfshin edhe kompleksin e ri të DRSHTRR Elbasan me Qendrën e re të Kontrollit Teknik (kolaudimi), dedikuar shërbimeve të transportit rrugor!
Projekti financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama.