Loja është hapur. Ushtarët kanë hyrë në fushë. Liderët e dy partive kryesore me shumë gjasë do të dominojnë edhe këtë fushatë elektorale siç ka ndodhur në të gjitha zgjedhjet e pas ‘90-ës. Zgjedhjet e pranverës mbartin një rëndësi të veçantë për karrierën e dy liderëve. Për opozitën e drejtuar nga Basha ato janë një betejë jetike për rikthimin në pushtet pas 8 vitesh, dhe po aq jetike janë edhe për socialistët që po kërkojnë atë që s’ka ndodhur më parë në këto 30 vite, një mandat të tretë qeverisës.

Përballja ka nisur me takime në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo shtëpi. Drejtuesit politikë të 12 qarqeve i japin elektoratit një perceptim të parakohshëm për listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë që do t’i përfaqësojë ata në Kuvendin e ri. PS e ka nisur fushatën me ministrat e zyrtarët e saj duke u futur në fushatë me mbështetjen e një makinerie shtetërore të qeverisë dhe të pushtetit lokal. Nga ana tjetër është premtimi për një qeverisje të re me një listë të përzierë me ish-deputetë, politikanë të rinj dhe emrave nga bota akademike.

Tirana
Partia Socialiste e filloi fushatën herët në kryeqytet duke ua besuar fushatën tre figurave të PS-së, të tre të futur në politikë nga Rama, Erion Veliaj, Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati. Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, e nisi karrierën si aktivist i shoqërisë civile, më pas krijoi një parti politike, për t’u katapultuar në fund në rrethin e ngushtë të Ramës pas ardhjes në krye të PS-së.

Veliaj, i cili po konsumon mandatin e dytë në krye të bashkisë më të madhe në vend shihet dhe si pasardhës i Ramës në këtë parti. Spiropali, ministre në kabinetin e Ramës, një përfaqësuese e PS-së në përballjet mediatike, do të drejtojë fushatën jashtë qytetit në bashkitë e vogla që ka qarku Tiranë dhe rrethinat e saj.

Nga ana tjetër Ervin Bushati, deputet, futet në fushatë natyrshëm si kryetar i degës së partisë. Partia Demokratike vonoi në zgjedhjen e drejtuesve politikë për Tiranën duke i zyrtarizuar emrat vetëm para 3 ditësh, por i dha një rëndësi të dukshme këtij qarku, që do të nxjerrë plot 36 deputetë. Logjika e zgjedhjes së emrave u bë sipas zonave elektorale duke zgjedhur plot 8 drejtues për Tiranën.

Të besuarit e Bashës janë Aldo Bumçi, Jorida Tabaku, Alfred Rushaj, Grida Duma, Agron Shehaj, Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Flamur Noka. Ata janë të gjithë figura publike të kësaj partie në krye të përballjes mediatike me qeverisjen. Bumçi, Tabaku, Duma, Shehaj, Noka dhe Vokshi janë ish-deputetë të kësaj partie. Noka dhe Bumçi kanë shërbyer si ministra në qeverisjen e fundit të PD-së.

Shehaj, i larguar që fëmijë në Itali është një biznesmen i suksesshëm, vjen nga një familje me taban të djathtë, antikomuniste. Në zgjedhjet e fundit u zgjodh deputet në Vlorë. Tabaku, Duma dhe Vokshi janë ndër zërat më aktivë politikë të PD-së në opozitë me një karrierë politike në ngritje. Rushaj, një nga hartuesit e programit të PD-së kandidon për herë të parë si deputet, ashtu si Këlliçi, i cili drejton forumin rinor të kësaj partie. Këta emra janë zgjedhur jo vetëm si të besuarit e Bashës, por dhe si emra që ofrojnë më shumë besueshmëri në elektoratin e pavendosur.

Kukës
Në qarkun e Kukësit, ku PD-ja ka pasur një elektorat besnik, socialistët i kanë besuar fushatën kryebashkiakut të tyre Safet Gjici, njëkohësisht dhe biznesmen. Gjici shkon në fushatë me kostumin e zyrtarit lokal dhe administratën e bashkisë si mbështetje. Përballë tij PD-ja ka zgjedhur biznesmenin Flamur Hoxha, ish-kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit. Ai mban detyrën e kreut të degës së Kamzës, por Basha e ka dërguar në Kukës, duke parë tek ai potencialin për të ruajtur dhe forcuar elektoratin e djathtë në këtë zonë.

Shkodër
Përballja në kryeqendrën e veriut do të jetë mes një ish-ministri të PS-së, Ilir Beqaj dhe ish-deputetit demokrat Helidon Bushati. Beqaj është një nga ministrat më të përfolur për korrupsion. Fushata e tij mendohet të jetë një mision i vështirë në një bastion demokrat, ku PS-ja ka marrë mandate në zgjedhje të mëparshme duke kandiduar njerëz të fortë ose me të shkuar të errët për të cilët flet ambasada amerikane. Nga ana tjetër, Bushati do të luftojë të bashkojë votuesin e djathtë drejt PD-së, pasi në përballjen e tij ka dhe një ish-drejtuese të PD-së nga ky qytet, Jozefina Topallin, e cila ka krijuar partinë e saj 4 muaj para zgjedhjeve. Bushati u prezantua nga PD si model i qytetarisë dhe integritetit me synimin për të marrë 7 mandate nga 11 që ka ky qark.

Lezhë
Rama ka vendosur në krye të fushatës në qarkun Lezhë, Lindita Nikollin, një ish-ministre Arsimi të cilën e largoi nën presionin e protestave studentore, por një peshë të madhe të fushatës besohet se do ta mbajë kryebashkiaku Pjerin Ndreu. Krejt e kundërt duket zgjedhja e PD-së në këtë qark me pedagogun e gazetarisë Mark Marku, një ish-deputet i PD-së i rikthyer në radhët e saj pas një periudhe ftohjeje.

Durrës
Në qytetin bregdetar, PS-ja heq dorë pas shumë vitesh nga Vangjush Dako, ish-kryebashkiak, i cili doli në përgjimet e vjedhjes së votave në dosjen 339, ku ai dilte në biseda me grupin kriminal të Habilajve. Por sërish ka zgjedhur një “të fortë” për fushatën duke ia besuar Ardian Çelës, aktualisht drejtor i OSHEE-së, një nga kompanitë shtetërore më fitimprurëse. Përballë tij në krye të fushatës edhe PD-ja është kujdesur të zgjedhë një figurë të fortë politike me përvojë të gjatë si Edi Paloka. I zgjedhur deputet në 5 legjislatura dhe Nënkryetari i PD-së, Paloka, synon të afrojë edhe elektoratin e majtë të zhgënjyer.

Lexo edhe : Shumë larg vendeve fqinje – Rama: Do të rrisim pagën minimale çdo vit
Dibër
Përballja e qarkut Dibër duket interesante nga emrat dhe buja që ky qark ka pas daljes së përgjimeve të dosjes 184, ku zyrtarë të lartë të PS-së u akuzuan për vjedhje votash. Nga e majta kemi një grua, ministren Olta Xhaçka dhe përballë saj Xhelal Mziun, ish-kryebashkiak i Kamzës, një figurë popullore që ka ditur të jetë fitues në përballjet elektorale. Fushata ka nisur e ashpër pasi Xhaçka akuzohet nga opozita se ka përdorur helikopterët e ministrisë së Mbrojtjes për të realizuar takime elektorale në Dibër.

Elbasan
Qarku i Elbasanit ka vendosur përballë njëri-tjetrit numrat dy të partive kryesore, kryetarin e grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi. Balla i zgjedhur si deputet i Librazhdit njihet si drejtues politik i partisë, por nuk është shpërblyer me asnjë post qeveritar nga Rama në këto 8 vite. Nga ana tjetër, juristi i PD-së ka një përvojë 3-mujore si ministër Drejtësie në qeverinë teknike të 2017-ës dhe është një figurë e re e promovuar nga Basha në krye të PD-së dhe një nga më të votuarit në Këshillin Kombëtar të PD-së. Beteja për Bardhin duket e vështirë. Ai ka fjalën e tij përballë makinerisë shtetërore të socialistëve me pushtetin lokal.

Korçë
Një tjetër ministër për qarkun e Korçës. Rama e emëroi Niko Peleshin vetëm dy muaj më parë ministër i Mbrojtjes për të forcuar pozitat e tij dhe si drejtues politik i fushatës. Përballë ministrit socialist fushata e së djathtës do të drejtohet nga një politikan me përvojë të gjatë, ekonomistin Edmond Spaho, deputet në disa legjislatura dhe ish-nënkryetar Kuvendi.

Fier
Qarku i dytë më i madh i vendit, Fieri, do të zbresë në fushatë kryetarin e parlamentit Gramoz Ruçi. Një figurë politike e vjetër po aq sa tranzicioni politik shqiptar, Ruçi, shihet si një njeri i fortë i elektoratit të majtë. Ish-ministër i fundit i komunizmit, i njohur si numri dy i përhershëm në PS, ai ka drejtuar dhe më parë fushata në këtë qark ku e majta ka një bastion besnik. Përballë tij nga e djathta vjen pinjolli i një familjeje të persekutuar nga komunizmi. Enkelejd Alibeaj, ish-ministër Drejtësie dhe deputet i kësaj zone, shihet si një figurë e besueshme në elektoratin e djathtë dhe me premisa për ta rritur këtë elektorat në zgjedhjet e reja.

Vlorë
Në qarkun e Vlorës, ku kandidon për deputet vetë kryeministri Rama, fushata do të drejtohet nga një tjetër ish-ministër i tij i akuzuar shpesh për korrupsion dhe i shfaqur në përgjimet e dosjes së Dibrës. Damian Gjiknuri i PS-së që u përball me skandalin e Unazës së Re dhe vjedhjen e votave do të drejtojë fushatën në zonën elektorale të Jugut, ku PS-ja shpreson të fitojë me një investim urban në Lungomare. Përballë tij është Bujar Leskaj, ish-deputet i PD-së, ish-kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjatë detyrës në KLSH, ky institucion u kthye në një pasqyrë ku qeverisja e Ramës ka parë dështimin e saj me menaxhimin e fondeve të buxhetit të shtetit. Sipas raportit të KLSH-së, në 8 vite buxheti i shtetit ka humbur 6.2 miliardë euro nga keqmenaxhimi i financave dhe shkeljet buxhetore. Leskaj do të luftojë për të rritur numrin e mandateve të PD-së në këtë qark me 12 deputetë, ku PD ka fituar vetëm 3 në zgjedhjet e fundit.

Gjirokastër
Në qarkun e Gjirokastrës PS ka deleguar ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, ndërsa PD-ja ia ka besuar drejtimin një prej themeluesve të saj, ish-ministrit Tritan Shehu që mban dhe gradën profesor doktor në mjekësi. Emërimi i tij në krye të listës u vendos nga Basha edhe pse Shehu ishte përjashtuar nga komisioni i PD-së, që kaloi listën paraprake të kandidatëve të bazës. Fushata do të jetë e fortë pasi ky qark humbi një mandat me ndarjen e re që bëri KQZ-ja dhe në këtë zgjedhje beteja bëhet për 4 deputetë. PD synon që përveç elektoratit të djathtë të fitojë dhe elektoratin e zonave minoritare në këtë qark për shkak të aleancës me PBDNJ-në që njihet si parti e minoritetit grek.

Berat
Qarku i Beratit pritet të rezervojë surpriza në këto zgjedhje, ku përveç përballjes mes PS-së dhe PD-së, LSI-ja shihet si shumë e fortë. PS ka deleguar Blendi Klosin, një nga ministrat më jetëgjatë në qeverisjen socialiste. Po ndërsa PS e LSI do të luftojnë për elektoratin e majtë, PD-ja i ka besuar drejtimin një figure me potencial politik në radhët e saj. Tomorr Alizoti është pasardhës i një familjeje atdhetare dhe antikomuniste. Stërgjyshi i tij Fejzi Alizoti, ish-kryeministër në 1914-ën, dhe gjyshi Riza Alizoti, janë pushkatuar nga regjimi komunist. Alizoti do të shënjojë karrierën e tij politike pikërisht në qytetin ku gjyshi i tij u pushkatua dhe më pas komunistët ia zhdukën varrin.

Drejtuesit e PS dhe PD në 12 qarqe:
Kukës – Safet Gjici (PS), Flamur Hoxha (PD)
Shkodër – Ilir Beqaj (PS), Helidon Bushati (PD)
Lezhë – Lindita Nikolli (PS) Mark Marku (PD)
Tiranë – Erion Veliaj, Elisa Spiropali, Ervin Bushati (PS)
-Aldo Bumçi, Jorida Tabaku, Alfred Rushaj, Grida Duma, Agron Shehaj, Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Flamur Noka (PD)
Durrës – Ardian Çela (PS), Edi Paloka (PD)
Dibër – Olta Xhaçka (PS), Xhelal Mziu (PD)
Elbasan – Taulant Balla (PS), Gazment Bardhi (PD)
Korçë – Niko Peleshi (PS), Edmond Spaho (PD)
Fier – Gramoz Ruçi (PS), Enkelejd Alibeaj (PD)
Vlorë – Damian Gjiknuri (PS), Bujar Leskaj (PD)
Gjirokastër – Bledi Çuçi (PS), Tritan Shehu (PD)
Berat – Blendi Klosi (PS), Tomorr Alizoti (PD)
Mapo.al