Gjatë eventit Game Awards të këtij viti, një prezantim surprizë u bë nga një zëdhënës i Google – Windows 10 dhe 11do të fillojnë nga viti i ardhshëm të suportojë lojërat që gjenden në Google Play.
Më herët Microsoft kishte arritur një marrëveshje me Amazon për të listuar aplikacionet e saja në Microsoft Store të Windows 11. Kjo marrëveshje e arritur me Google duket se është krejtësisht e veçantë dhe nuk ka asnjë lidhje me Amazon.
Zëdhënësi i Google nuk dha shumë detaje lidhur me këtë temë por tregoi se lojërat do të jenë të aksesueshme përmes një aplikacioni të zhvilluar nga Google për Windows 10 dhe 11 dhe se do të ndiqet një logjikë vazhdueshmërie.
Për shembull, ju mund të nisni një lojë në pajisjen Android dhe të rifilloni aty ku e latë në desktopin tuaj. Pritet që së shpejti më tepër informacione të bëhen publike. Ne shpresojmë se këto përmirësime do të ndihmojnë në zgjerimin e kategorive të ndryshme të aplikacioneve që do të jenë të aksesueshme nga PC.