
Tiri Gjoci dhe Krisa Çaushi, një nga çiftet më të pëlqyera të edicionit të katërt të “Big Brother VIP Albania”, kanë reaguar së fundmi për polemikat që lindën brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
Në një intervistë të bërë së fundmi, dyshja diskutuan mbi deklaratat e Loredana Bratit, e cila gjatë qëndrimit në BBVA kishte pohuar se këngëtari kishte flirtuar me të në një klub nate – madje në prani të Krisës.
Sipas çiftit, kjo situatë është sqaruar jashtë shtëpisë dhe Loredana ka kërkuar falje. Megjithatë, Krisa theksoi se veprimi i saj ka pasur si qëllim dëmtimin e imazhit të këngëtarit.
“Kam reaguar në shtëpi sepse ajo që Loredana bëri ishte dëmtim imazhi për Tirin. E paraqiti si një person që flirton me çdo vajzë që i del përpara, ndërkohë që partnerja e tij ishte aty. Ajo më ka kërkuar falje”, tha Krisa.
Nga ana tjetër, Tiri e pranoi se ka mbetur i habitur nga situata dhe se e njeh shumë mirë karakterin e partneres së tij.
Çifti duket se ka kapërcyer situatën dhe vazhdon lidhjen jashtë shtëpisë me mbështetjen e publikut.
