Presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump akuzoi zyrtarët e Kalifornisë për paaftësi lidhur me trajtimin e zjarreve vdekjeprurëse që shpërthyen rreth Los Anxhelosit.
“Zjarret janë ende të ndezur në LA. Politikanët e paaftë nuk e kanë idenë se si t’i shuajnë”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”.Kjo është një nga katastrofat më të këqija në historinë e vendit tonë. Ata thjesht nuk mund t’i shuajnë zjarret. Çfarë nuk shkon me ta?” ka shkruar ai.
Shpejtësia dhe intensiteti i flakëve që kanë shkatërruar Los Anxhelosin kanë testuar kapacitetet e forcave zjarrfikëse dhe kanë shkaktuar pyetje dhe kritika në lidhje me gatishmërinë e shtetit.
Hidrantët e ujit u thanë në Palisades pasi zona u shkatërrua nga një nga pesë zjarret e që prekën rajonin, ndërsa mungesa e ujit pengoi betejën për shuarjen e flakëve edhe në pika të tjera.
Pak më shumë se një javë para se të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka nisur një seri akuzash kundrejt Guvernatorit demokrat të Kalifornisë Gavin Newsom për dështim në trajtimin e situatës.
Newsom ndërkohë e ka ftuar Trumpin të vizitojë Los Anxhelosin dhe të vëzhgojë shkatërrimin me të.