Deklarata e plotë e ish-deputetes së LSI, Silva Caka
Përshëndetje!
Jemi bashkë në këtë komunikim për t’iu risjellë gjithë shqiptarëve në vëmendje ligjin skandaloz të Korporatës së Investimeve Shqiptare, të ideuar nga arkitekti i shkatërrimit dhe vjedhjes së pronave publike e private të qytetarëve tanë, Edi Rama, i cili i ndihmuar edhe nga një Parlament ilegjitim, miratoi përpara dy vitesh këtë ligj antikushtetues.
Për t’ua rikujtuar të gjithëve: ky ligj synon përqendrimin e gjithë pronave të shqiptarëve, publike dhe private, në një dorë të vetme. Krijimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare, nuk është asgjë tjetër veçse vjedhja, transformimi dhe tjetërsimi i çdo prone me ligj të posaçëm.
Përjashtimi i Korporatës nga rregullat e përgithshme të prokurimit publik, mënyra e krijimit, funksionimit dhe organizimit të saj, mospërcaktimi i qëllimshëm i rolit të shtetit si rregullator në këtë ligj dhe dhënia e pozitës dominante në treg, shkel shumë parime të rëndësishme të demokracisë, shtetit të së drejtës, sigurisë juridike, tregut të lirë e konkurrencës si dhe barazisë në ligj e përpara tij, parime të cilat garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Qëllimi kriminal i këtij ligji bëhet akoma edhe më i dukshëm në kushtet kur shqiptarëve ende iu zgjat agonia për çështjen e pronave, një problem madhor i 30 viteve të fundit, i cili për fat të keq ende nuk ka gjetur zgjidhje.
Kundër këtij ligji u shpreh edhe Komisioni i Venezias, Departamenti Amerikan i Shtetit, Këshilli i Europës dhe Banka Botërore, por asnjë nga këto nuk e ndaloi planin kriminal të Edi Ramës për zhvatjen e pronave të shqiptarëve.
Për gjithë sa përmendëm më sipër, Lëvizja Socialiste për Integrim, në respektim edhe të afatit ligjor, ka vendosur t’i drejtohet sot Gjykatës Kushtetuese me një tjetër padi. Në këtë padi do të kërkojmë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit nr. 71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare” dhe pezullimin e zbatimit të tij e të çdo akti nënligjor të nxjerrë për zbatimin e këtij ligji, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dua të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se do të bëjmë çdo përpjekje ligjore, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që interesat e tyre të ligjshme të mos cënohen.
Faleminderit!