Sot është takimi i ish-kryeministrit Sali Berisha me demokratët e Elbasanit.

Para se të nisë “Foltorja” në shesh shihen mbështetës të shumtë të ish-kryeministrit Sali Berisha, mes tyre dhe emra të njohur si deputeti i këtij qarku, Luciano Boci. Demokratët e Elbasanit shprehen se Basha duhet të ikë pasi i gënjeu gjatë gjithë kohës në krye të PD-së dhe se Berisha po vjen për ta rikthyer PD-në në pushtet

Gjithashtu “Foltores” i është bashkuar edhe sekretari i PD-së, Blendi Himci i cili për mikrofonin e “Fax News” konfirmon se është pro hapjes së Partisë Demokratike.

“Arsyet janë të shumta përse jam këtu, së pari, nuk u bë analizë për humbjen. E dyta, vazhdojmë të mbetemi të mbyllur ndërsa Partia Demokratike duhet të ishte e hapur për arsye se nuk është respektuar statuti i PD. Unë nuk kam asgjë personale me kryetarin Basha me mënyrën si bëri fushatë, me mënyrën si përfunduan në opozitë, po këto janë qëndrimet e mia për të cilat unë kam rezerva. Nuk kam inate personale as mllefe por do t’i shikoja gjithmonë në fokus të një situate e cila kërkon në moment për ta rihapur Partinë Demokraike. Votat janë rritur por vazhdojmë të jemi në opozitë, kjo provon se nuk jemi aty ku duhet”, u shpreh Blendi Himci.

“Unë jam ushtar dhe di vetëm të luftoj dhe luftën që bën Berisha nuk e bën askush. Berisha nuk lufton me armë, ai lufton me mend. Berisha është një ndër burrat e rrallë që ka kombi, ne nuk dimë ta vlerësojmë atë. Paçin faqen e zeze ata që kanë shitur dhe që flasin fjalë të këqija për atë që bëri ndryshimin , për atë që solli demokracinë. Këta e mbollën dynjanë hashash, po shkatërrojnë rininë dhe po shkatërrojnë njerëzit që nuk po shikojnë një ditë të bardhë. Shqiptarët nuk qeshin por morën arratinë. Më bën çudi për qëndrimin që mbajnë europianët dhe amerikanët ajo koreanka të gjejë gjuhën dhe ti përshtatet mendimit shqiptar, ne nuk jemi koreanë as amerikanë s’jemi dhe të rrimë kështu siç jemi. Edi Rama e ka korruptuar Bashën, ai korrupton edhe engjëllin”, u shpreh një demokrat.