Deputeti Luçiano Boçi, anëtar i Komisionit të Rithemelimit ka folur sot nga Elbasani për procesin e bashkimit të Partisë Demokratike.
Ai ka deklaruar se bashkimi nuk mund të arrihet me shpikje platformash të cilat i quajti individuale për sa kohë nuk kanë marrë miratimin e grupit parlamentar të PD.
“Nuk mund të arrihet bashkimi me thirrje apo emocione dhe as me shpikje platformash. Bashkimi realizohet me vullnetin e partive politike. Unë gjykoj që vetëm këto akte dhe procese zgjedhore do na çojnë drejt një bashkimi real.
Platformat ndonjëherë kanë prapavija dhe kanë mungesë sinqeriteti. Kam kërkuar që këto platforma duhet të marrin miratimin e kryesisë së grupit parlamentar. Unë kam lexuar platforma që janë individuale”, u shpreh ai.
Boçi u ndal edhe te zgjedhja e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Ai theksoi se opozita nuk ka ndonjë interes të madh për këtë çështje, për sa kohë, sipas tij ai është një pozicion që caktohet nga kryeministri Edi Rama.