Pas nisjes së konfliktit ne fillim të muajit tetor, forcat militante të Hmasit janë përplasur për herë të parë brenda territorit të Gazës, me forcat izraelite.

CNN raporton se sipas deklaratave të grupit palestinez Al-Qassam, Hamasi dhe trupat izraelite janë përplasur brenda Gazës.

Nga ana tjetër Hamasi tha se luftëtarët e tij shkatërruan dy buldozerë ushtarakë izraelitë dhe një tank në një pritë, duke detyruar trupat izraelite të tërhiqen në Izrael pa automjetet e tyre.

“Ushtarët e forcës sioniste që ranë në pritën e Khan Younis lanë automjetet e tyre dhe u larguan në lindje të gardhit në këmbë”, thanë Brigadat Al-Qassam në mediat sociale.

Forcat e Mbrojtjes izraelite thanë vetëm se “u qëllua ndaj ushtarëve të IDF që vepronin në perëndim të gardhit të sigurisë të Rripit të Gazës, në zonën e Kissufit”.

Ndërkohë IDF pohoi se një tank i IDF-së goditi celulën terroriste që qëlloi mbi ushtarët. IDF konfirmoi për CNN se trupat e saj kishin vepruar brenda Gazës gjatë incidentit.

Nuk është hera e parë që IDF thotë se operon brenda Gazës që nga sulmi i Hamasit mbi Izraelin më 7 tetor. Më 13 tetor, IDF tha se kishte kryer bastisje brenda Gazës në 24 orët e mëparshme, por nuk ndau detaje për përplasjen që kishte ndodhur.