Përleshje të dhunshme shpërthyen në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, ku forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë protestuesit e mbledhur përpara ndërtesës së parlamentit.

Dhuna policore vazhdoi gjatë gjithë mëngjesit të sotëm, me oficerë të maskuar që qëllonin me plumba gome dhe rrihnin brutalisht protestuesit dhe gazetarët. Dhjetëra vetë përfunduan në pranga mes tensioneve të shkaktuara nga refuzimi i turmës për t`u shpërndarë. Tubuesit ishin mbledhur për të shfryrë zemërimin e tyre pas njoftimit të kryeministrit, Irakli Kobakhidze, një ditë më herët se Qeveria do t’i pezullojë bisedimet për anëtarësim në BE deri në vitin 2028, dhe se nuk do të pranojë grante buxhetore nga Brukseli.

Gjeorgjia është duke u përballur me trazira prej zgjedhjeve parlamentare të muajit tetor të cilat i fitoi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane – por që sipas opozitës dhe qeverive perëndimore u shënjuan nga shkelje të mëdha e ndikim rus. Protesta më të vogla pro Bashkimit Europian kanë shpërthyer edhe në qytete të tjera të vendit si Batumi, Gori, Kutaisi dhe Zugadidi.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e cila është kritike e ashpër e partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, u bashkua me protestën në Tbilisi, duke shfaqur solidaritet me demonstruesit.

“Unë jam me këta njerëz. Rezistenca ka nisur dhe nuk do të ndalet derisa të kemi zgjedhje të reja”, u tha ajo gazetarëve, ndërsa u përball me policët duke i kujtuar se është “detyra e tyre ta mbrojnë sovranitetin e vendit dhe duke i pyetur nëse ata “ se kujt i shërbejnë Rusisë apo Gjeorgjisë”.

Më herët, ndërkohë, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë e cila bën thirrje për zgjedhje të reja legjislative në Gjeorgji dhe për sanksione ndaj anëtarëve të lartë të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.

Top Channel