Një shtetas australian është dënuar me 13 vjet burg në Rusi për pjesëmarrje në luftimet përkrah Ukrainës, kanë njoftuar prokurorët e instaluar nga Rusia.
Oscar Jenkins, 33 vjeç, një mësues nga Melburni, u kap nga forcat ruse në dhjetor të vitit të kaluar në rajonin e Luhanskut dhe u dënua të premten nga një gjykatë e kontrolluar nga Rusia në Ukrainën lindore të pushtuar. Ai u shpall fajtor për pjesëmarrje në një konflikt të armatosur si mercenar.
Sipas prokurorëve, Jenkins kishte mbërritur në Ukrainë në shkurt 2024 dhe pretendohet se ishte paguar mes 600,000 dhe 800,000 rubla (rreth 5,500–7,300 £) në muaj për të marrë pjesë në operacione ushtarake kundër trupave ruse. Një video e publikuar në dhjetor e tregonte atë me duar të lidhura, duke u goditur në fytyrë dhe duke u marrë në pyetje nga forcat ruse. Ata e pyesin nëse është paguar për të luftuar në Ukrainë.
Në janar, Australia thirri ambasadorin rus për të protestuar ndaj raporteve të rreme se Jenkins ishte vrarë pas kapjes. Që atëherë, qeveria australiane ka kërkuar vazhdimisht lirimin e tij.
“Kemi për ta vazhduar presionin ndaj regjimit të neveritshëm të [Presidentit rus] Vladimir Putin në emër të zotit Jenkins,” tha kryeministri australian Anthony Albanese për 9Neës në prill. Ndërkohë, në mars, një shtetas britanik, James Scott Rhys Anderson, 22 vjeç, u dënua me 19 vjet burg nga një gjykatë ushtarake ruse për akuza për terrorizëm dhe aktivitet mercenari. Ai ishte kapur në nëntor në rajonin rus të Kurskut – ku forcat ukrainase ndërmorën një inkursion të befasishëm gushtin e kaluar, përpara se të tërhiqeshin.
Përpara se të niste pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Presidenti Putin njohu zyrtarisht rajonet Luhansk dhe Donetsk si të pavarura nga Ukraina. Forcat proxy të mbështetura nga Rusia kishin filluar një kryengritje në këto rajone që në vitin 2014./BBC/