Kryedemokrati Lulzim Basha është treguar më i prerë së kurrë ndaj lëvizjes së Berishës në PD dhe njoftimit të tij për organizimin e Kuvendit të Partisë Demokratike më datë 11 dhjetor ku pa paralajmëruar edhe përjashtimin e tij nga partia.
Në një intervistë për gazetarin e ABC Juxhin Mustafaraj, Basha shprehet se statuti e përcakton qartë se si duhet të sillet partia me ata që përçajnë partinë dhe bëjnë organizime të tilla në një kohë kur vetëm pak muaj më parë janë zhvilluar edhe zgjedhjet për kryetarin. Kështu, Berishën e pret përjashtimi nga PD në rast të organizimit të Kuvendit Kombëtar të PD-së që e ka paralamëruar në 11 dhjetor.
Basha e akuzoi Berishëne dhe për bashkëpunim me anëtarë të krimit të organizuar në Shqipëri, të cilët sipas tij i bashkon një hall i përbashkët: Shpallja “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Ne nuk e dimë dhe nuk do ta marrim vesh se çfarë ka kasaforta, por ne dimë se faktorë të interesuar në përçarjen e Partisë Demokratike nuk e kanë humbur shansin, nuk e kanë humbur shansin faktorët e krimit të organizuar, Suel Çelët, Aqif Rakipët, Tom Doshët, njerëz që me 25 prill kanë qenë, jo për herë të parë por gjatë gjithë kësaj dekade, nën flamurin e Edi Ramës përballë demokratëve”, tha Basha në intervistën për ABC.
Lexoni intervistën e plotë:
Juxhin Mustafarai ABC: Zoti Basha, faleminderit për këtë intervistë për ABC!
Lulzim Basha: Kënaqësi!
Juxhin Mustafaraj ABC: Pak ditë më parë ju i propozuat kryesisë të Partisë Demokratike, mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 18 dhjetor, një datë e cila vjen një javë pas një propozimi që ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë delegatëve të Kuvendit Kombëtar, për t’u mbledhur në një Kuvend Kombëtar. Kishte ndonjë urgjencë për mbledhjen e këtij Kuvendi? Pse erdhi ky vendim?
Lulzim Basha: Vendimi i miratuar nga Kryesia ditën e hënë është vendimi për të mbledhur Kuvendin e demokratëve dhe për demokratët. Kjo sepse Partia Demokratike në dy muajt e fundit, po i nënshtrohet një procesi përçarës të drejtuar nga Sali Berisha për interesat e veta personale. Proces, i cili nuk është mjaftuar me verbin linçues, agresiv dhe përçarës ndaj Partisë Demokratike, por ka kaluar nga synimi i shpallur i demokracisë së brendshme dhe zbatimit të statutit, në krejt të kundërtën e këtij synimi, që është: Shkelja e hapur e statutit dhe përçarja e Partisë Demokratike, dhunimi i demokracisë së brendshme, mosnjohja si legjitime e asnjë forumi të Partisë Demokratike të zgjedhur nga anëtarët e Partisë Demokratike.
Ndaj, një nga arsyet është pikërisht për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate përmes një Kuvendi bashkimi i cili do të ndodh sipas vendimit të Kryesisë, më datë 18 dhjetor.
Juxhin Mustafaraj ABC: Zoti Basha, ju deklaruat pak muaj më parë se nuk do të ketë një Kuvend, që do të marrë në shqyrtim vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërkohë që në vendimin e kryesisë, në hyrje të tij bëhet e qartë se , pikërisht se Kuvendi i datës 18 dhjetor është si rrjedhojë e shpalljes non grata të ish-kryeministrit Berisha, ndërkohë që ju keni folur edhe për sanksione në atë vendim të Kryesisë së Partisë Deomokratike. A do ta përdorni ju nenin 27 ndaj Sali Berishës, apo kujtdo që organizon një Kuvend në datën 11 dhjetor?
Lulzim Basha: Një herë duhet të jemi të hapur e të vërtetë jo vetëm me demokratët, por me të gjithë shqiptarët, sepse fatet e Partisë Demokratike janë të lidhura me fatet e shqiptarëve dhe fatet e shqiptarëve sot më shumë se kurrë janë të lidhura me fatet e Partisë Demokratike.
Kjo nuk është një parullë. Besoj është e qartë për këdo që kërkon shpëtim ekonomik, social, mendor, shpirtëror që nuk ka asnjë forcë tjetër, asnjë alternativë tjetër bindëse për të larguar shkaktarin kryesor të krizës së gjithanshme që po përjeton Shqipëria, përveç Partisë Demokratike.
E pra, është fakt që Partia Demokratike ka nisur një aksion opozitar, me një front të gjerë dhe me iniciativa jashtëzakonisht të rëndësishme, siç janë iniciativat për ndryshimet kushtetuese, për komisionet hetimore për zgjedhjet, për inceneratorët, për çështjen Bechetti, që prekin drejtpërdrejtë çështjen e demokracisë në vend dhe rikthimin e Shqipërisë në shinat e demokracisë që është premtimi kryesor dhe arsyeja e vetme pse Partia Demokratike, forcën që qytetarët na dhanë më 25 prill, përveç masakrës zgjedhore, prapë se prapë po e përdorim në Parlament për të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë, por edhe në përditshmëri.
Se në përditshmërinë e shqiptarëve, problemi kryesor, pavarësisht prej zallamahisë që përpiqen të krijojnë faktorë të tjerë, është buka e gojës, është punësimi, është shëndeti, është arsimimi i familjeve të tyre, i fëmijëve të tyre.
Dhe në këtë kuadër, ne kemi përparuar në të gjithë frontin, duke përfshirë dhe propozimin tonë për uljen e TVSH-së për shportën ushqimore.
Këtij aksioni i është mbivendosur një tjetër aksion, zanafilla i të cilit është vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta shpallur Sali Berishën non grata.
Ndaj këtij vendimi, Sali Berisha fillimisht ka mbajtur qëndrimin se nuk do të përfshij Partinë Demokratike dhe as grupin parlamentar. Pra, do të lejojë që Partia Demokratike dhe grupi parlamentar të bëjë punën për të cilën ekziston, t’i shërbejë njerëzve, t’i shërbejë shqiptarëve përmes një opozitë të fortë ballorë të pakompromis me regjimin e Edi Ramës dhe të bëjë gjithçka për të risjell Shqipërinë në shinat e legjitimitetit demokratik.
Kësaj tashmë i është mbivendosur dhe kundërvendosur përpjekja e një individi. Fillimisht përmes të ashtuquajturve “Foltore”, që u kthyen në seanca linçimi për këdo që mendon ndryshe nga Sali Berisha dhe nuk është i gatshëm të sakrifikojë interesa e Partisë Demokratike për interesat e një individi dhe kulmoi me të kundërtën e asaj që premtoi.
Premtoi demokraci të brendshme, premtoi zbatimin e statutit dhe për fat të keq, siç e patë vetë para disa ditësh, bëri të kundërtën dhe unë e di që edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë janë jashtëzakonisht të mërzitur me faktin se ajo që nisi si një demokraci e brendshme apo për statutin përfundoi përmes një blofi të tillë që në fakt është një tallje dhe një fyerje e madhe me të gjithë demokratët, përfshirë edhe ata demokratë që mund të kenë besuar fillimisht se kjo ishte një lëvizje për interesat e demokratëve.
Dhe që tani shohin një diskreditim të pamerituar edhe të vullnetit të tyre nga shumë prej episodeve që janë bërë publike edhe përmes medias. Prandaj në vendimin e kryesisë zanafilla është padiskutim shpallja e Sali Berishës non grata nga Shtete e Bashkuara të Amerikës por Kuvendi i 18 dhjetorit, Kuvendi i Partisë Demokratike nuk ka në agjendë një vendim tashmë të marrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nuk ka në agjendë as vendimet e marra në përputhje të plotë me statutin dhe me rregullat e Partisë Demokratike të diktuara nga ky vendim i qeverisë amerikane, partnerit tonë strategjik me të cilin kemi rrëzuar komunizmin, me të cilin kemi ardhur në pushtet, bashkë me të cilin kemi luftuar krimin e organizuar korrupsionin dhe më të cilin kemi futur Shqipërinë në NATO.
Me të cilin kemi bashkëpunuar për pavarësinë e Kosovës, kemi ndërtuar infrastrukturat më moderne dhe me të cilin do të ecim nesër krah për krah për të plotësuar aspiratat e tjera të shqiptarëve, ekonominë, mirëqenien, punësimet, investimet dhe padiskutim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian pasi të kemi larguar këtë regjim.
Të gjitha këto pra janë tema të cilat do të diskutohen në Kuvendin e demokratëve dhe në Kuvendin për demokratët që është Kuvendi i datës 18.
Sa i takon vijave të kuqe. Vija e kuqe nuk i caktoj unë, i cakton statuti. Është detyrimi i çdo demokrati dhe padiskutim është detyrimi i kryetarit të Partisë Demokratike ta zbatojë statutin në veçanti nëse dëmtohen interesat politike dhe elektorale të Parisë Demokratike.
Pra, në qoftë se kemi jo thjesht një retorikë përçarëse, denigruese ndaj demokratëve, veprime të cilat shfokusojnë aksionin politik të partisë Demokratike kundër regjimit, që nga komisionet hetimore te amendamentet kushtetuese, veprime të cilat i bien ndesh interesave elektorale, afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë Partisë Demokratike dhe në qoftë se këto kulmojnë pastaj me veprime të tjera antistatutore dhe që dëmtojnë interesat politike të Partisë Demokratike, përpjekje për përçarje të Partisë Demokratike dhe jo vetëm kaq, por për angazhimin në këtë proces të faktorëve të krimit të organizuar që Partia Demokratike dhe demokratët i kanë patur përballë me 25 prill sepse janë dhe mbeten ushtarët e Edi Ramës të cilëve Edi Rama u ka shkelur syrin për t’i futur nën flamurin e Sali Berishës në një betejë për interesa personale.
Në këtë pikë padiskutim që nuk është më çështje a do të veprohet apo jo statuti, është detyrim politik, është përgjegjësi dhe detyrim politik i çdo demokrati e jo më i kryetarit të p[artisë që statuti të zbatohet. E kundërta do të ishte papërgjegjshmëri me fatin dhe sakrificat e demokratëve.
Juxhin Mustafaraj ABC: Zoti Basha a kishte mundësi që ju si kryetar i Partisë Demokratike për shkak të angazhimit jo thjesht të Sali Berishës por disa deputetëve të Partisë Demokratike për të menduar ndryshe, për të mbledhur firmat e delegatëve, të gjendej një gjuhë kompromisi pasi janë apo jo në atë që në Partinë Demokratike është etiketuar si kasaforta e kreut të Këshillit Kombëtar. Ato firma janë firma demokratësh, mund të kishte një rrugë kompromisi për të zhvilluar jo 2 por 1 Kuvend Kombëtar?
Lulzim Basha: Nuk ka 2 Kuvende Kombëtare. Ka vetëm 1 Kuvend Kombëtar i cili do të zhvillohet me 18 dhjetor dhe do të jetë Kuvend i bashkimit të demokratëve dhe jo i përçarjes së demokratëve.
Ndërsa vetë procesi i nisur për demokracinë e brendshme apo në emër të demokracisë së brendshme, apo në emër të zbatimit të statutit dhe për të goditur atë që është quajtur moszbatim i statutin që në fakt në ekziston, ky proces ka marrë një goditje të rëndë me atë që ju e quajtët futjen e demokratëve në kasafortë.
Ne nuk e dimë dhe nuk do ta marrim vesh se çfarë ka kasaforta, por ne dimë se faktorë të interesuar në përçarjen e Partisë Demokratike nuk e kanë humbur shansin, nuk e kanë humbur shansin faktorët e krimit të organizuar, Suel Çelët, Aqif Rakipët, Tom Doshët, njerëz që me 25 prill kanë qenë, jo për herë të parë por gjatë gjithë kësaj dekade, nën flamurin e Edi Ramës përballë demokratëve.
Jo si politikan, por me mjete ekstra politike, me banda, me joshje, kërcënime, për të blerë dhe shantazhuar votën e shqiptarëve.
E pra, kjo është një arsye më shumë që 18 dhjetori si një kuvend bashkimi, të japë një përgjigje definitive çdo tentative për të përçarë demokratët dhe të jetë nisja e një aksioni të koordinuar politik në bashkëpunim me shumicën dërrmuese të qytetarëve që e kundërta të ndodhë, jo një pakicë që ka uzurpuar tashmë Shqipërinë, pakica e Edi Ramës, personave të krimit të organizuar dhe oligarkëve, të uzurpojë edhe Partinë Demokratike.
Por që duke nisur nga bashkimi i demokratëve, duke nisur nga një aksion politik i Partisë Demokratike, ta pastrojnë Shqipërinë, shtetin shqiptar dhe zyrat e shtetit shqiptar dhe t’i rikthejmë demokracinë e vërtetë, ku qytetarët të vendosin të pa ndikuar nga krimi i organizuar.
Këtë nuk mund ta bëjë kurrsesi një Parti Demokratike e cila vendoset nën tutelën e Suel Çelëve, Tom Doshëve dhe Aqif Rakipëve.
Dhe këtu dua të them diçka që besoj demokratët e kuptojnë shumë qartë por është t’ia komunikojmë të gjithë shqiptarëve.
Nuk kam prova dhe nuk dua ta besoj, as këtë moment se këta faqezinj të krimit të organizuar i janë vërsulur me mjetet më çnjerëzore demokratëve. Çfarë i lidh ata me kuvendin e Partisë Demokratike, çfarë interesi kanë ata? Përveç faktit që një pjesë e tyre janë apo mund shumë shpejt të shpallen “NON GRATA”.
Ç’lidhje kanë këta që para disa muajsh i kishim kundër, me armë në duar, me para në duar në masakrën zgjedhore të 25 prillit. Nuk dua ta besoj kurrë se i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës.
Nuk dua ta besoj në këtë moment se i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës. Por dhe pa diskutim thirrjes së dikujt i janë përgjigjur dhe dihet se kush ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me ta, kush merr pushtet me ta dhe ndan pushtet me ta, ky është Edi Rama.
Është e qartë se ky i ka shkelur syrin për tu futur në flamurin e Sali Berishës dhe këtë kanë bërë, por u bë pothuajse një javë që faktet janë denoncuar publikisht dhe ajo që e ngarkon me përgjegjësi Sali Berishën para çdo demokrati dhe para çdo shqiptari është heshtja dhe mos denoncimi.
Kur këto fakte u denoncuan edhe zyrtarisht nga institucionet e partisë, minimumi, minimumi që pritej nga një ish-kryetar i Partisë Demokratike aq më shumë dikush, ish-kryetari më jetëgjatë i Partisë Demokratike që ka qenë dhe kryeministër dhe president ishte së pari, një kontakt me Partinë Demokratike në institucionet e Partisë Demokratike, që i bënë këto denoncime publike bazuar mbi fakte dhe prova të pakundërshtueshme që ne i disponojmë dhe së dyti, një distancim publik me emër dhe mbiemër sepse ne e dimë që Sali Berisha kur dëshiron flet me emër dhe me mbiemër.
Shpesh here ka ankesa edhe me të padrejtë, shpesh herë duke iu referuar edhe familjarëve apo edhe të afërmve të subjekteve për të cilat flet por është bërë një kohë e gjatë që nga goja e tij nuk janë dëgjuar emrat e disa prej autorëve kryesorë të masakrës zgjedhore si Aqif Rakipi, si Suel Çela, si Tom Doshi apo të oligarkëve të cilët akuzohen nga demokratët e thjeshtë sot nga Shkodra në Elbasan, në Vlorë, në Durrës dhe në Tiranë se po investojnë për fatin e tyre tek përpjekja përçarëse e Sali Berishës e cila në sens kërkon të marrë një pjesë të Partisë Demokratike peng dhe ta përdorë si mburojë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendimit të Shteteve të Bashkuara Të Amerikës për ta shpallur të padëshirueshëm apo “NON GRATA”, që është dhe zanafilla e këtij procesi.
Juxhin Mustafaraj ABC: Zoti Basha, për shkak se janë ngjarje politike të cilat priten të ndodhin, flasim gjithmonë me nëse, në 11 dhjetor supozojmë se Sali Berisha do ta mbledhë në pallatin e kongreseve atë që ai e quan kuvend, ju e quani një miting dhe do të arrij le të themi një shumicë të delegatëve të kuvendit kombëtar, ju personalisht do ta mbani kuvendin me 18 dhe me 11 dhjetor do të jetë një ditë e zakonshme ndonëse një ditë e rëndësishme për Partinë Demokratike?
Lulzim Basha: Partia Demokratike nuk funksionon me nëse. Ajo që është statuti i Partisë Demokratike, në fakt, është libri i vlerave rreth të cilave përbashkohen demokratët, është kushtetuta jonë, aty përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e çdo demokrati, nga anëtari më i thjeshtë dhe më i ri i Partisë Demokratike, te kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur me një anëtar një votë para pak muajsh, në një garë me 3 kandidatë, tek figurat veterane të Partisë Demokratike, që kanë 30 vjet në këtë parti dhe që e njohin statutin shumë mirë.
Ata e dinë shumë mirë, që nuk ka nëse, nuk ka nëse, statuti nuk lejon nëse dhe vullneti i demokratëve nuk kanalizohet në asnjë mënyrë tjetër përveçse statutit të Partisë Demokratike.
Çdo gjë tjetër është në kundërshtim me sebepin me të cilin Sali Berisha e nisi lëvizjen e tij dhe ekspozon të vërtetën të cilës po mundohet ti ikë ai dhe kushdo që qëndron rreth tij, që ai nuk e ka betejën as me mua dhe as me asnjë demokrat.
Ai e ka betejën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët e kanë shpallur non-grata. Ai është zotuar përpara demokratëve që nuk do ta përfshijë Partinë Demokratike në këtë betejë, ai e ka thyer këtë betim.
Sot, ai është kthyer në një peshë të përditshme, në një faktor dëmtues të interesave politike të Partisë Demokratike, që është përballja me regjimin, me të gjitha format dhe mënyrat, përfshirë atë që po bëhet në kuadër të veprimtarisë parlamentare, komisionet hetimore, reformën zgjedhore, reformën territoriale, përballjen e përditshme me korrupsionin, me lidhjet të Edi Ramës me krimin e organizuar, rënien e rendit publik, gjërat e tmerrshme që po ndodhin ditë për ditë, në mes të qyteteve tona, po trondisin të madh e të vogël, si ngjarjet e ditëve të fundit, si ajo e djeshmja.
Duhet ta them dhe një herë, që është një tronditje e madhe për çdo shqiptar, veçanërisht për ne që jemi prindër. Kjo shthurje totale e shtetit është produkt i një rrëgjimi, i cili sot mbahet në këmbë edhe prej këtij tubi të oksigjenit që i ka dhënë Sali Berisha dhe që ky tub oksigjeni të vazhdojë ti japë oksigjen rrëgjimit, rrëgjimi i ka dhënë të paktën përkohësisht në shërbim hordhitë e kriminelëve dhe kastën e oligarkëve me të cilat kreu masakrën zgjedhore, pra njerëzit që ju sulën demokratëve për të ndalur ndryshimin më 25 Prill sot i shohim në shërbim të kësaj lëvizje.
Pra është fare e qartë se më 18 dhjetor do të ketë një kuvend të demokratëve dhe për demokratët dhe gjithçka tjetër është vetëm në funksion të përçarjes së demokratëve dhe është e destinuar të marrë përgjigjen sipas librit themelor të Partisë Demokratike, që është statuti i Partisë Demokratike.
Juxhin Mustafaraj ABC: Zoti Basha, një pyetje të fundit. Në kulmin e betejës tuaj me Sali Berishën, pak javë më parë nga foltorja e parlamentit, ju folët për një “Trekëndësh të Bermundës”, ose trekëndësh të së keqes për shqiptarët, ku le të themi hapët një front të ri beteje edhe me presidentin e republikës, Ilir Meta. Ndërkohë, që dy ditë më parë, Ilir Meta i shtoi dhe një kënd krahasimit për ju dhe foli për një katërkëndësh të vendimeve tuaja, të cilat kanë cenuar integritetin, por edhe pozitat tuaja si kryetar opozite, duke përfshirë djegien e mandateve, braktisjen e zgjedhjeve vendore dhe vendime të tjera. Keni ju një koment për të?
Lulzim Basha: Vendimi i Partisë Demokratike është fare i qartë. Dhe sa i takon çështjes së mendimit ndryshe, mendimi ndryshe është respektuar në Partinë Demokratike gjatë 8 viteve që unë kam qenë kryetar si asnjëherë më parë.
Por një gjë është mendimi ndryshe dhe një gjë është identiteti i Partisë Demokratike. Identiteti i Partisë Demokratike nuk mund të jetë ndryshe përveçse Pro perëndimorë, pro Amerikan. Kjo nuk është çështje e mendimit ndryshe. Statuti i Partisë Demokratike është i qartë, nuk është çështje opinionesh. Pretendimi për fraksione, është një pretendim i rremë, bëhet fjalë për klane. Klane përfituesish të 8-vjeçarit të parë të qeverisjes së Partisë Demokratike që tani janë kthyer me lugë në brez, shumë prej tyre nga Kanadaja, Anglia, Amerika, pasi kanë përfituar dhe janë zhdukur në 2013-ën, i shohim në radhën e parë duke shfrytëzuar prapë sakrificën dhe zemërimin apo marrëzinë e shumë demokratëve për masakrën zgjedhore të 25 prillit, me shpresën se do të futen në një tjetër gosti ku përsëri duke shkelmuar mbi sakrificën e demokratëve, të pasurohen e të vazhdojnë ta bëjnë rrush e kumbulla sakrificën e demokratëve.
Pra, nuk bëhet fjalë për ide konstruktive, fraksionesh e të tjerë sepse Partia Demokratike, jo vetëm ka lirinë e mendimit po si asnjëherë më parë përmes programit të saj dhe përmes përfshirjes në grup parlamentar dhe në çdo instancë drejtuese ka treguar se është një parti e të përndjekurve, është një parti e pronarëve, është një parti e rinisë, është një parti e sipërmarrjes në tërësi dhe sipërmarrjes të vogël e të mesme në veçanti mbi parimet e konkurrencës dhe jo të monopoleve.
Është një parti e fermerëve, si një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë dhe e shoqërisë konservatore. Pra, le t’i dallojmë klanet nga fraksionet.
Parti klanesh do të thotë përçarje e partisë, nuk janë këto fraksionet, ndërsa mendimi ndryshe dhe përfaqësimi brenda Partisë Demokratike i gjithë këtyre interesave tashmë po ndodh dhe do të vazhdojë të ndodhë dhe kjo është forca e re, forca e rigjetur e Partisë Demokratike për t’i dhënë zë të gjitha shtresave shoqërore.
Të gjitha këto shtresa shoqërore, për të ardhur tek pyetja juaj e fundit, e kuptojmë fare mirë se ka tre dekada që tranzicioni nuk merr fund, nuk përmbyllet e nuk përmbyllet, zgjatet e stërzgjatet. Arsyeja është fare e thjeshtë sepse një kastë e vogël njerëzish kanë shkelmuar interesat bazë të një shoqërie demokratike, zgjedhjet e lira, konkurrencën e lirë, zbatimin e ligjit. Zgjedhjet vidhen nga një grusht pushtetarësh me një grusht kriminelësh e oligarkësh.
Ekonomia shkatërrohet, bizneset e vogla falimentojnë, bizneset e ndershme falimentojnë, njerëzit shpunësohen sepse pushteti e ka putinizuar ekonominë dhe e ka drejtuar të gjitha resurset e pasura të Shqipërisë te një grusht oligarkësh dhe më e keqja, dhe kjo është pjesa e tretë e një trekëndëshi të ngjashëm me trekëndëshin e Bermudës, nuk kanë ndëshkueshmëri.
Ka një karusel që vërtitet, janë të njëjtët oligarkë, të njëjtët kriminelë që përfitojnë, është i njëjti popull, të njëjta shtresa, të përndjekurit, pronarët, sipërmarrësit, rinia, intelektualët, profesionistët, shtresa e mesme, fermerët të cilët vetëm dëmtohen ekonomikisht, nga pikëpamja shoqërore, detyrohen të emigrojnë.
Beteja e Partisë Demokratike është pikërisht me këtë trekëndësh të pushtetit të korruptuar, të krimit të organizuar, të oligarkisë dhe në këtë pikëpamje çdokush që është për interesat e veta personale, cilado qoftë zanafilla e këtyre interesave personale, shpallja non grata apo çfarëdo interesi tjetër që nuk rreshtohet me shqiptarët kundër këtyre tre fenomeneve, patjetër që është në vetvete një trekëndësh problematik për shqiptarët, një trekëndësh Bermude dhe përballë do të jetë jo vetëm Lulzim Bashën si kryetar të Partisë Demokratike, jo vetëm mua, po do të ketë Partinë Demokratike dhe gjithë këto forca shoqërore, të cilat sot më shumë se kurrë, e kanë kuptuar që ka patur pakte të hapura dhe të fshehta për të ruajtur këtë status quo tashmë 30 vjeçare.
Ky është tranzicioni që nuk merr fund dhe në këtë kuptim, trekëndëshi i Bermudës nuk janë thjesht tre persona, por është kultura e pandëshkueshmërisë, është bashkëpunimi i politikës me krimin, s’ka rëndësi nëse është për të marrë pushtetin apo kur je në hall edhe kur je në opozitë dhe është përqendrimi putinist i ekonomisë në duart e oligarkëve.
Përballë ka vetëm një forcë; po nuk është as e vogël, as e dobët është forca më e madhe, është forca që rrëzoi komunizmin dhe hapi dyert e Shqipërisë, e çoi në NATO, e çoi në lëvizjen e lirë të Europës, do ta çojë drejt idealit europian të një shoqërie të lirë ku pakica të mos diktojë shumicën, ku pakica të jetë pakicë, e respektuar sa i takon brenda ligjit dhe Kushtetutës po ku shumica të jetë në gjendje të ndërtojë një jetë normale, me dinjitet, me punë sipas ligjeve, Kushtetutës dhe moralit njerëzor, në shtëpinë e vet, pa u detyruar të largohet nga shtëpia e vet.