Kreu i PD-së Lulzim Basha i është drejtuar këtë paradite selisë së Partisë Demokratike, ku do të votohet për kryetarin e ri. Vetë Basha shfaqet duke qëndruar në radhë, ndërsa mbërritja e tij u prit me ovacione nga të pranishmit.
Basha kandidon për mandatin e tretë në krye të PD-së pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit, të cilat i ka konsideruar si një masakër elektorale, dhe nuk ka mbajtur një qëndrim të prerë sa i takon marrëdhënies që PD do të ketë me parlamentin e ardhshëm.
Në selinë e PD-së pritet të votojnë dhe Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli, ndërsa kandidatja tjetër Edith Harxhi do të votojë në njësinë 5. Deri në momentet që flasim procesi i votimit po ecën normalisht, dhe është vënë re një prani e konsiderueshme anëtarësh.
Në seli do të votojnë dhe anëtarët e kryesisë dhe deputetët e zgjedhur të kësaj force politike, ndërsa në të gjithë vendin të drejtën e votimit e kanë 75 mijë anëtarë dhe 76 qendra votimi.
Votën mund ta hedhin vetëm personat që kanë kartë anëtarësie. Të përjashtuar nga vota do të jenë demokratët që sipas kryetarit të Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana kanë bërë fushatë haptas për kundërshtarët në zgjedhjet e 25 prillit, ndonëse ata rezultojnë anëtarë të PD. Nga ana tjetër, Gjana tha se do të lejohen që të votojnë ata që s’kanë emrin në lista, por kanë kartë anëtarësie.
Zgjedhjet në PD u kërkuan menjëherë pas atyre për Kuvendin, ku ishte fillimisht Fatbardh Kadilli ai që paraqiti kandidaturën e tij, më pas u propozua nga grupi për PD-në dhe Edith Harxhi, ndërsa Agron Shehaj u fut në garë në momentet e fundit.
Votimi për kreun e ri të PD-së pritet që të mbyllet në orën 19:00, ndërsa të parët që kanë qenë sot në selinë blu ka qenë sekretari Gazment Bardhi dhe nënkryetari Edmond Spaho. Kandidatët nuk pranuan që të ishin së bashku në një diskutim të hapur për anëtarësinë e tyre, dhe secili e zhvilloi fushatën veçmas.