
Tentoi t’i marrë kartën e identitetit për të favorizuar një subjekt politik në zgjedhje, Prokuroria Fier procedon penalisht për ‘Korrupsion aktiv në zgjedhje’ shtetasin M.L.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka regjistruar procedimin penal nr.485, datë 13.04.2025, për veprën penale, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, mbi bazën e informacioneve të marrë nga Komisariati i Policisë Lushnjë.
Pas informacionit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Prokuroria Fier në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të këtij komisariati, si dhe në koordinim të vazhdueshëm dhe efektiv me Prokurorinë e Posaçme kundër Koorupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, duke përdorur edhe metoda proaktive të hetimit, kanë arritur të dokumentojnë se, shtetasi M.L., i ka kërkuar dhe marrë shtetasit M.T., kartën e identitetit kundrejt premtimit të një shume prej 50’000 (pesëdhjetëmijë) lek, me qëllim për të favorizuar një subjekt politik në zgjedhje.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, policia gjyqësore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, ka kryer arrestimin në flagrancë të të dyshuarit.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar në Gjykatë kërkesa për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit M.L., e cila është miratur nga Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

