Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Do të gjeni në Shebenik liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
Moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe kafshët e egra të shtohen duke i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone.
Shoqata të ndryshme që kanë në fokus aktivitet sportive kohët e fundit po i organizojnë ato në këtë park, sidomos ato që lidhen me sportet dimërore.
Gara të çiklizmit malor, alpinizëm apo ski e kanë bërë tashmë këtë park më të njohur dhe me siguri një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit të natyrës shqiptare. Bora e parë nisi të bjerë dhe në këto lartësi të bukura e sportive, do të shtohen dhe vizitorët aventurierë që do të argëtohen kryesisht në fundjavë.