Një makinë elektrike në Kinë ka rënë nga kati i 3 i një ndërtese duke shkaktuar dy të vdekur. Automjeti elektrik është i markës Nio, një kompani kineze që po përpiqet të dominojë industrinë e automjeteve elektrike.
Makina ra nga kati i tretë i selisë së kësaj kompanie në Shangai. Një anëtar i stafit dhe një punonjës nga një kompani partnere humbën jetën. Të dy ndodheshin brenda makinës duke e testuar në momentin që automjeti u rrëzua nga lartësia.
Kati i tretë i kësaj ndërtese është sallë ekspozite, zonë testimi dhe parking makinash.
Kompania Nio ka reaguar dhe ka thënë se menjëherë ka nisur hetimet me autoritetet kineze për zbardhjen e kësaj ngjarje, teksa thekson se nga analiza e deritanishme duket të jetë një aksident jo i shkaktuar nga automjeti elektrik.
Por pikërisht fjalia e fundit e deklaratës nxiti shumë reagime në rrjete sociale, mbi 1000 të tilla. Shumë komentues nuk mund ta pranonin deklaratën se automjeti elektrik nuk është shkaktar i aksidentit. Pas reagimeve të shumta, kompania Nio u detyrua ta tërhiqte atë deklaratë dhe të publikonte një version të ri të moderuar.