Mallakastër / Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Mallakastër, operacioni policor antikanabis i koduar “Mollaj”.
Kishte kultivuar bimë narkotike në pronën e vet dhe mbante armë gjahu pa leje në banesë, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari.
Sekuestrohen 2 armët e gjahut që iu gjetën në banesë të arrestuarit dhe asgjësohen me anë të djegies bimët e dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit nga toka dhe ajri. Si rezultat edhe i informacioneve të marra në rrugë operative, është finalizuar operacioni policor i koduar “Mollaj”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-H. K., 39 vjeç, banues në Mollaj, Mallakastër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Në oborrin e banesës së 39-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Gjatë kontrollit të imtësishëm edhe në banesën e të arrestuarit, u gjetën dhe u sekuestruan 2 armë gjahu pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme./Egnatia news