Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punën që po kryhet për rikonstruksionin e qendrës shëndetësore 24 orëshe në Orikum.

Duke u shprehur se në këtë qendër do garantohet standardi më i lartë i shërbimit për qytetarët, Manastirliu tha se programi kombëtar i rehabilitimit të qendrave shëndetësore do të vijojë edhe këtë vit.

“Është drejt përfundimit qendra shëndetësore Orikum, një qendër që gjatë vitit ofron shërbim për rreth 5 mijë banorë, po ndërkohë gjatë sezonit turistik 4-5 fishohet numri i qytetarëve, turistëve, pushuesve që marrin shërbim në qendrën shëndetësore 24 orëshe. Edhe për vitin 2023, 60 qendra shëndetësore dhe ambulanca në të gjithë vendin do të rehabilitohen me kushtet më të mira”, tha Manastirliu

Ministrja Manastirliu theksoi se do të vazhdojë rritja e pagave për stafet mjekësore në të gjithë vendin.

“Vijojmë me rritjen e pagave me 7%  për personelin mjekësor në të gjithë vendin. Do të jenë rreth 19 mijë punonjës shëndetësie që do të përfitojnë direkt nga rritja e pagave këtë vit dhe do të vijojmë me fuqizimin e strukturave tona qoftë në kujdesin parësor edhe në atë spitalor“, – nënvizoi Manastirliu.

Pas rehabilitimit të 340 qendrave shëndetësore nga veriu në jug, edhe këtë vit do të investohet për rikonstruksionin e 60 qendrave të tjera shëndetësore, për t’ju ofruar shërbim dinjitoz qytetarëve dhe kushte më të mira pune për mjekët dhe infermierët./abcnews.al