Të hënën do të mbërrijnë edhe 15.000 vaksina Pfizer, ka deklaruar Ministrja Ogerta Manastirli gjatë një takimi me stafin mjekësor të spitalit Covid-3.
Ajo ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për t’u bërë një front përballë Covid-19, gjatë takimit me mjekë dhe infermierë të Spitalit Covid 3, ku vlerësoi punën e tyre në betejën e gjatë me virusin e rrezikshëm.
“Ekipi i Covid 3, dua t’ju falenderoj që po përballeni prej një viti me një situatë jo të lehtë, nuk është e lehtë që të përballosh këtë intensitet. Por është e rëndësishme që për asnjë moment nuk ka munguar shërbimi për qytetarët”, tha Manastirliu.
Duke folur për vaksinimin, Manastirliu tha se mjekët dhe infermierët e spitaleve COVID janë vaksinuar me të dy dozat dhe po vijon me intensitet vaksinimi i stafeve mjekësore, duke u shtrirë nga sot edhe në Korçë.
“Fakti është që pjesa më e madhe e stafeve të spitaleve tona COVID tashmë janë vaksinuar edhe me dozën e dytë, e bën mbrojtjen maksimale. Sot fillojmë edhe vaksinimin në qendrën e përqëndruar në Korçë, ku do të vaksinohen mjekët e spitaleve dhe infermierët, kudo në qarkun e Korçës dhe duam që të përmbyllim në një kohë shumë të shpejtë vaksinimin e stafeve tona mjekësore, siç e kemi thënë, brenda dy javëve të para të muajit mars, duke ecur gjithashtu edhe me grupet prioritare të popullatës, siç janë të moshuarit +80 vjeç dhe më pas të vijojmë vaksinimin e grupeve të tjera”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh gjatë takimit me mjekët dhe infermierët, se, me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave, procesi do të intensifikohet.
“Pritet që të vijë ngarkesa e radhës së Pfizer ditën e hënë, rreth 15 mijë vaksina vijnë për të intensifikuar vaksinimin. Pritet gjithashtu që brenda 10 ditëshit të parë të Marsit të vijnë edhe 14,400 vaksina të AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit COVAX, dhe do të kemi besoj lajme të mira për sasi të tjera vaksinash”, tha Manastirliu.