Nga e hëna aksion në universitete për vaksinimin e studentëve. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë kanë marrë angazhimin për vaksinimin e popullsisë target deri në pranverën e vitit që vjen. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar ditën e sotme një takim me drejtues vendorë në bashkinë Fier, nga ku ka kërkuar angazhimin e tyre për të ftuar qytetarët për t’u vaksinuar.

“Do të kërkoja angazhimin tuaj në territor, si drejtues vendorë dhe që keni një lidhje të fortë me komunitetet tuaja, që bashkë me ekipin e shëndetësisë, të shkojmë derë më derë, në çdo fshat, në çdo shtëpi, për t’i dhënë mundësi çdo qytetari të mbrohet duke u vaksinuar. Ky nuk është një aksion i zakonshëm, është një aksion në emër të jetës. Ne do të garantojmë përmes një plani të mirëorganizuar, vaksinimin derë më derë, me njesitë e lëvizshme, me strukturat tona në territor”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se nuk ka kohë për të humbur, Manastirliu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen, ndërkohë që bëri me dije se nga e hëna do të vijojë një aksion në çdo universitet për vaksinimin e studentëve.

“Dua t’i bëj thirrje çdo qytetari të vaksinohet jo se e themi ne, po se e thonë ekspertët më të mirë në botë. Se nuk ka rrugë tjetër për të afruar fundin e kësaj pandemie përveçse me vaksinim. Nga ana tjeter, do të nisim të hënën një tjetër aksion, do të jemi në terren në çdo universitet, për vaksinimin masiv të studentëve, si domosdoshmëri për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri akademik që është në prag”, tha Manastirliu”, ishte ftesa e Manastirliut për qytetarët dhe studentët.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,783,984 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 825,110 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës antiCOVID. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,262,960 vaksina antiCOVID.