Manchester City shkruan një tjetër rekord në Kupat e Europës. Skuadra angleze triumfoi me shifrat e thella 5-0 kundër Spartës së Pragës për të zgjeruar ecurinë pa humbje në këtë kompeticion. Për herë të parë në historinë e kompeticioneve të UEFA-s, një skuadër përjeton 26 ndeshje pa humbje.

Kampionët e Premier League kanë regjistruar në total 18 fitore dhe 8 barazime, duke thyer rekordin e vendosur nga rivalët e qytetit, Manchester United. Midis periudhës 2007 dhe 2009, “djajtë e kuq” shënuan 25 ndeshje pa humbje në turnetë europiane.

Ecuri që përpos Pep Guardiolës ka edhe një tjetër protagonist, Erling Haaland. Sulmuesi norvegjez shënoi dy herë ndaj skuadrës çeke që në përbërje ka shqiptarët, Qazim Laçi, Indrit Tuci, Albion Rrahmani e Ermal Krasniqi. Haaland ngjitet në kuotën e 21 golave në Champions League, gjithçka e arritur në 23 paraqitje.

Më mirë se ai ka bërë vetëm Ruud van Nistelrooy. Holandezi ka shënuar 20 herë në 21 ndeshjet e para me Manchester United, kuotë që e ka arritur me një fanellë të vetme në më pak ndeshje në historinë e Champions League.